Ballina Lajmet Vazhdojnë tensionet në Kirkuk të Irakut

Vazhdojnë tensionet në Kirkuk të Irakut

Ish-guvernatori i Kirkukut, Najmiddin Karim, porositi se populli i këtij qyteti të pasur me naftë mbështet forcat e armatosura peshmerge dhe se ata nuk do të tërhiqen nga qyteti me kërkesë të qeverisë irakiane të Bagdadit, raporton Anadolu Agency (AA).

Komuniteti lokal kurd të shtunën në Kirkuk ka dalë në rrugë për të protestuar për shkak të intervenimit të mundshëm ushtarak të cilin mund ta fillojnë autoritetet federale irakiane, ndërsa protestuesit i mbështeti edhe ish-guvernatori Karim të cilin parlamenti irakian mëparë e shkarkoi nga detyra për shkak të pjesëmarrjes në organizimin e referendumit në Administratën rajonale kurde në veri të vendit.

“Këta njerëz e duan atdheun. Shumë viktima tashmë kanë dhënë për këtë qytet dhe le të mos mendoj armiku se ashtu lehtë do të marrë qytetin”, theksoi Karim.

Situata në Kirkuk është shumë e tensionuar për shkak të tensioneve që tashmë disa ditë rriten në relacionin mes forcave kurde pshmerge dhe forcave të armatosura irakiane.

Ushtria irakiane të premten stacionoi njësitet në fshatrat Taza dhe Bashir që gjenden dhjetëra kilometra në jug të qendrës së Kirkukut.

Përskaj kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe faktit se Gjykata Kushtetuese e Irakut e ndaloi, më 25 shtator në veri të Irakut u mbajt referendum jolegjitim për pavarësi.

Administrata rajonale kurde organizoi referendumin kontestues edhe në rajonin e Kirkukut dhe rajone tjera që kanë status të pazgjidhur sipas Kushtetutës së Irakut.

Statusi kontestues i Kirkukut pret zgjidhje që nga viti 2003 dhe ndërhyrja amerikane në Irak, kur forcat kurde nga veriu i Irakut morën kontrollin e qytetit dhe kur një numër i madh i banorëve kurd u shpërngulën në këtë qytet.

Kushtetuta e Irakut e cila u miratua në vitin 2005, në nenin 140 parasheh që statusin e Kirkukut të përcaktojë refundimi i cili do të organizohet pasi banorët e dëbuar në periudhën e pushtetit të Saddam Husseinit të kthehen në qytet dhe pasi të kryhet regjistrimi i popullatës.

Bagdadi zyrtar pohon se pushteti në rajonin e Kirkukut është nën kompetencat e qeverisë irakiane, derisa banorët lokalë kurdë dhe partia në pushtet Unioni i Patriotëve Kurdë dëshirojnë që rajoni t’i bashkangjitet Administratës Rajonale Kurde në Veri të Irakut. Popullata turkmene dhe arabe dhe partitë e tyre politike janë kundër këtij plani dhe kërkojnë që Kirkuku të fitojë status special në Irak.

Exit mobile version