Shoferët e kamionëve nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, të cilët nisën protestat në pikat kufitare më 26 janar për të reaguar ndaj sistemit të ri të menaxhimit kufitar të Evropës, Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), po vazhdojnë protestat për ditën e tretë radhazi në pikat kufitare në vendet përkatëse, raporton Anadolu.
Në një njoftim sot nga “Makam-trans”, unioni më i madh i punëdhënësve të kompanive të transportit në Maqedoninë e Veriut, thuhet se deri në zgjidhjen e problemit, transportuesit që bartin mallra të lejuara për kalim, si barna, kafshë të gjalla dhe municion dhe/ose eksplozivë, do të lejohen të kalojnë pikat kufitare me kusht që të dërgojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë tyre.
Drejtuesit e autobusëve në transportin ndërkombëtar gjithashtu kanë vënë në dukje problemet e shkaktuara nga sistemi i ri i regjistrimit, duke u bërë thirrje institucioneve të BE-së dhe duke theksuar se, nëse nuk merret një vendim pozitiv, janë të gatshëm të marrin pjesë në protesta të përbashkëta për mbrojtjen e transportit ndërkombëtar dhe ekonomisë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një deklaratë për mediat lokale, tha se për çështjen që është në agjendë me Komisionin Evropian që nga shtatori i vitit 2025, në afatin më të shkurtër do të zhvillojë një takim me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të kërkuar së bashku me vendet e rajonit një zgjidhje që do t’u lehtësojë transportuesve.
Sipas informacioneve në mediat lokale, dëmet e shkaktuara nga bllokadat arrijnë në rreth 100 milionë euro në ditë.
Ndërkohë që pritet që protesta e shoferëve të kamionëve në vendet e rajonit të vazhdojë gjatë gjithë javës, kalimet kufitare për automjetet e tjera po vazhdojnë pa probleme.
Protesta të ngjashme po kryhen edhe në kufijtë e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Po ashtu është ndërprerë qarkullimi i kamionëve në të gjitha pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë për shkak të protestave që kanë filluar shoferët e kamionëve në territorin e Serbisë.
