Ballina Artikuj Vëllazëria dhe harmonia janë më të çmuara se çdo fitore e përkohshme!

Vëllazëria dhe harmonia janë më të çmuara se çdo fitore e përkohshme!

Hoxhë Fatos Gërvalla

Në këto ditë kur debati dhe polemikat kanë përfshirë çdo pjesë të shoqërisë sonë, është e domosdoshme të kujtojmë se mbi gjithçka tjetër, ne jemi njerëz, jemi vëllezër dhe motra, jemi fqinjë, miq e familjarë. Debatet janë të përkohshme, por marrëdhëniet tona mbeten. Sot mund të kemi mendime të ndryshme, por nesër prapë do të jemi pjesë e së njëjtës shoqëri, do të ndajmë të njëjtin vend, të njëjtat halle e të njëjtat ëndrra për një të ardhme më të mirë.

Profeti Muhammed a.s. na ka mësuar:

“Ai që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të thotë fjalë të mira ose le të heshtë.”

Le ta mbajmë këtë këshillë në mendje, veçanërisht tani. Të mos e lejojmë inatin, urrejtjen apo fjalët e ashpra të na largojnë nga njëri-tjetri. Debati është i shëndetshëm kur bazohet në argument dhe respekt, por bëhet i rrezikshëm kur sjell përçarje dhe armiqësi.

Debatet, polimikat dhe mendimet e ndryshme vijnë e shkojnë, por plagët që shkaktojmë me fjalët dhe veprimet tona mund të mbeten gjatë. Le të mos lejojmë që politika të na ndajë e të na bëjë të harrojmë vlerat tona si popull: bujarinë, respektin, dashurinë për njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha, besimin në drejtësinë dhe mëshirën e Zotit.

Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an:

“Dhe kapuni fort pas litarit të Allahut, të gjithë së bashku, dhe mos u përçani!” (Ali Imran: 103)

Kjo është një thirrje hyjnore për unitet, për bashkim rreth vlerave të përbashkëta dhe për shmangien e përçarjes.

Prandaj, në këtë kohë të ngarkuar, le të jemi të mençur, të matur dhe të kujdesshëm në sjelljet dhe fjalët tona. Mos ta lejojmë asnjë fjalë, asnjë postim, asnjë veprim të na largojë nga njëri-tjetri. Sot mund të kemi dallime në mendime, por nesër do të na duhet të punojmë së bashku për të mirën e përbashkët.

Vëllazëria dhe harmonia janë më të çmuara se çdo fitore e përkohshme!

Hoxhë Fatos Gërvalla

Exit mobile version