Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vëllazëria Muslimane e Egjiptit: Nuk ka pajtim me Sisin

Vëllazëria Muslimane e Egjiptit: Nuk ka pajtim me Sisin

Vëllazëria Muslimane e Egjiptit ka hedhur poshtë çfarëdo pajtimi të mundshëm me regjimin e presidentit Abdel-Fattah al-Sisi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të dielën, Vëllazëria tha se nuk do të heqë dorë nga legjitimiteti, duke iu referuar presidentit Mohamed Morsi, i cili u rrëzua nga Sisi, ish-shefi i ushtrisë egjiptase, në grusht shtetin e vitit 2013.

“Nuk ka asnjë kompromis për të drejtat e dëshmorëve dhe të plagosurve, të drejtën e të burgosurve për lirinë dhe të drejtën e njerëzve për një jetë të ndershme”, thuhet në deklaratë.

Deklarata u lëshua një ditë pasi zyrtari i lartë i Vëllazërisë, Ibrahim Munir, të shtunën deklaroi se grupi ishte i gatshëm “që të dëgjojë të gjitha këndvështrimet” nga njerëzit e dijes për të arritur pajtimin “që përfshin Morsin dhe merr parasysh krimet e kryera nga ana e grushtit të shtetit”.

“Ne jemi të gatshëm që të dëgjojmë të gjitha pikëpamjet në lidhje me pajtimin”, tha ai për Anadolu Agency.

Munir, megjithatë, për kanalin pro-Vëllazërisë ‘Watan’ tha se grupi nuk po kërkonte pajtimin me regjimin egjiptian.

Grupi më i vjetër islamik i Egjiptit, Vëllazëria Muslimane ka qenë në shënjestër të një goditje të ashpër nga regjimi egjiptian që kur ushtria hoqi Morsin, presidentin e parë të vendit dhe kreun e Vëllazërisë të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Autoritetet egjiptiane kanë akuzuar Vëllazërinë për lejimin e dhunës dhe e kanë cilësuar atë në grupin e organizatave “terroriste”.

Që prej rrëzimit të Morsit, mijëra anëtarë të Vëllazërisë janë burgosur dhe qindra të tjerë janë përballur me dënime me vdekje.

Exit mobile version