Influencuesi kontrovers Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan Tate janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, pasi autoritetet britanike njoftuan ngritjen e akuzave të reja ndaj tyre dhe kërkuan ekstradimin e tyre.
Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës në Mbretërinë e Bashkuar (CPS) bëri të ditur se ndaj Andrew Tate janë ngritur edhe shtatë akuza të reja për përdhunim, si dhe akuza të tjera që lidhen me trafikim seksual dhe posedim të imazheve të papërshtatshme të një të mituri.
Ndërkohë, Tristan Tate akuzohet për një rast të sulmit seksual, dy raste të përdhunimit dhe tre raste të organizimit ose lehtësimit të trafikimit për shfrytëzim seksual.
Sipas CPS-së, veprat penale të dyshuara thuhet se janë kryer në periudhën nga korriku i vitit 2010 deri në gusht të vitit 2017. Vëllezërit Tate i kanë mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat ndaj tyre.
Kreu i Divizionit të Krimeve të Rënda në CPS, Malcolm McHaffie, deklaroi se vendimi për ngritjen e akuzave të reja u mor pas pranimit të provave shtesë nga Policia e Bedfordshireit, duke e çuar në shtatë numrin e viktimave të pretenduara në këtë rast.
Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së konfirmoi arrestimin e dy vëllezërve, ndërsa një zëdhënës i Departamentit amerikan të Drejtësisë tha se ndalimi i tyre është bërë në kuadër të procedurave të ekstradimit.
CPS bëri të ditur se ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Andrew dhe Tristan Tate nga SHBA-ja në Mbretërinë e Bashkuar. Të dy kanë shtetësi britanike dhe amerikane.
Pas arrestimit, avokati i tyre, Joseph McBride, deklaroi se “e gjithë bota e di se Andrew dhe Tristan janë të pafajshëm”, duke kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tyre. /koha
