Belgjika, Danimarka, Franca, Islanda, Irlanda, Japonia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Portugalia dhe Spanja dënuan “fuqishëm” të mërkurën shembjen e fundit nga Izraeli të kompleksit të selisë së agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Kudsin Lindor, transmeton Anadolu.
“Ky akt i paprecedentë kundër një agjencie të Kombeve të Bashkuara nga një shtet anëtar i OKB-së përbën lëvizjen më të fundit të papranueshme për të minuar aftësinë e saj për të operuar. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Izraelit të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare për të garantuar mbrojtjen dhe paprekshmërinë e objekteve të Kombeve të Bashkuara”, thanë ministrat e jashtëm të njëmbëdhjetë vendeve në një deklaratë të përbashkët.
Ata i bënë thirrje Izraelit të ndalojë të gjitha shembjet, pasi më 20 janar forcat izraelite hynë me forcë në kompleksin e selisë së UNRWA-së në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor të pushtuar dhe e shembën atë me buldozerë dhe makineri të rënda.
“Rikujtojmë shqetësimin tonë të thellë lidhur me zbatimin nga Qeveria e Izraelit të legjislacionit, të miratuar nga Knesseti në tetor 2024 dhe të forcuar në dhjetor 2025, i cili ndalon çdo kontakt midis entiteteve shtetërore izraelite dhe zyrtarëve të UNRWA-s, ndalon dhe de facto pengon çdo prani të UNRWA-s brenda Izraelit dhe në Kuds, përfshirë furnizimin me energji elektrike, ujë dhe gaz për pronat e regjistruara nën UNRWA-n”, theksohet në deklaratë.
Ministrat e jashtëm ritheksuan mbështetjen e tyre për “misionin e pazëvendësueshëm” të UNRWA-s për ofrimin e shërbimeve thelbësore për palestinezët, duke nënvizuar se agjencia “duhet të jetë në gjendje të operojë pa kufizime”.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Izraelit të respektojë plotësisht detyrimet e saj për të lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Pavarësisht rritjes së ndihmës që hyn në Gaza, kushtet mbeten tejet të rënda dhe furnizimet janë të pamjaftueshme për nevojat e popullsisë”, shtuan ata.
Deklarata gjithashtu i bën thirrje Tel Avivit të lejojë dërgimin e sigurt dhe të papenguar të ndihmës humanitare, të sigurojë funksionimin e OJQ-ve ndërkombëtare në Gaza, rihapjen e të gjitha pikave kufitare, “përfshirë planet e shpallura për rihapjen e pikës kufitare Rafah në të dy drejtimet”, si dhe heqjen e kufizimeve të vazhdueshme ndaj importit të mallrave humanitare.
