Vërtetësia e fesë dhe misioni i besimit shfaqen në disa dimensione themelore:
Së pari: në lidhjen e njeriut me Zotin e tij, duke ia bërë të ndjeshme afërsinë dhe dashurinë e Tij, duke mbushur zemrën e tij me besim ndaj Tij, mbështetje tek Ai, qetësi në Të, afërsi shpirtërore me Të dhe bindje të plotë për gjithçka që ka ardhur prej Tij.
Së dyti: në ngritjen e vlerës së njeriut nga thjesht një “kafshë e zhvilluar”, ashtu siç e kanë përfytyruar ose e kanë paraqitur disa, në një qenie të nderuar, të ngarkuar me detyrë dhe përgjegjësi; të krijuar sipas një forme të lartë, të krijuar në përmasën më të bukur, të vendosur si mëkëmbës në tokë, të lakmuar nga banorët e botës së lartë. Prandaj nuk është çudi që feja punon për ta lartësuar “frymën hyjnore” në qenien e tij mbi “grushtin e baltës dhe baltën e erëzuar” që përbën anën materiale të tij. Kështu, njeriu nuk jeton i tërhequr poshtë, drejt kënaqësive më të ulëta, por jeton gjithmonë me shikim të ngritur e me synim drejt horizontit më të lartë.
Së treti: në zgjerimin e lidhjes së tij me universin e gjerë përreth. Ai nuk është një qenie parazite në këtë ekzistencë madhështore, as universi nuk është një armik që ai e lufton apo një e panjohur që e ndjek; përkundrazi, i gjithë universi është nënshtruar për dobinë e tij dhe, njëkohësisht, është shenjë që e udhëzon drejt Zotit të tij. Po ashtu, njerëzit – të gjithë njerëzit – janë vëllezër të tij, që e ndajnë me të adhurimin ndaj Allahut dhe prejardhjen nga Ademi (a.s).
Së katërti: në zgjatjen e jetës së kësaj ekzistence përtej kësaj jete të shkurtër, drejt jetës së përjetësisë dhe amshimit. Historia e njerëzimit nuk është thjesht “mitra që lindin dhe toka që gëlltit”, ashtu siç kanë thënë disa: “Nuk ka tjetër veç jetës sonë në këtë botë: vdesim dhe jetojmë dhe nuk do të ringjallemi”.
Përkundrazi, çështja është ashtu siç ka thënë Umer ibn Abdulazizi: “Ju jeni krijuar për përjetësinë; vdekja është vetëm kalim nga një banesë në një tjetër.”
Të gjitha këto kuptime i krijon dhe i gjallëron besimi: besimi në Allahun dhe besimi në Ditën e Fundit; dy shtylla themelore në çdo fe.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
