Venezuela ka bërë të ditur se pas operacionit të SHBA-s për kapjen e Nicolas Maduros javën e kaluar, Katari ndihmoi në përpjekjet për të siguruar provë që presidenti venezuelas ishte ende gjallë ndërsa po dërgohej në SHBA për ndjekje penale, transmeton Anadolu.
Qeveria e Venezuelës shprehu “falënderime të thella” për Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe qeverinë e Katarit për mbështetjen e tyre gjatë asaj që Karakasi e përshkroi si “orë të rënda” për vendin.
“Emiri i Katarit dhe kryeministri i tij shoqëruan përpjekjet ndërkombëtare për të siguruar provë jete të presidentit kushtetues të Republikës, Nicolas Maduro Moros dhe të Zonjës së Parë, Cilia Flores, të cilët u rrëmbyen në shkelje të qartë të imunitetit shtetëror që mbron kreun e shteteve”, tha qeveria venezuelase.
SHBA kreu një operacion ushtarak më 3 janar në Venezuelë, duke kapur presidentin Maduro dhe bashkëshorten e tij. Në të njëjtën ditë, Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit tha se ishte e gatshme të ndihmojë në përpjekjet ndërkombëtare që synonin një zgjidhje paqësore.
Karakasi tha se “njeh dhe vlerëson” gatishmërinë e Dohas për të ndihmuar në ndërtimin e një “agjende pune dhe dialogu” me SHBA-në, bazuar në “respekt për të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin e popujve dhe parimet e paqes”.
“Venezuela falënderon këtë gjest solidariteti dhe përgjegjësie ndërkombëtare, i cili riafirmon rëndësinë e dialogut, diplomacisë dhe respektit të ndërsjellë si rrugë të vetme legjitime për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis shteteve”, tha qeveria venezuelase.
