Ballina Lajmet Kosovë Veseli: Arsimimi, bazamenti kryesor i zhvillimit ekonomik

Veseli: Arsimimi, bazamenti kryesor i zhvillimit ekonomik

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, në Mitrovicë, njofton kumtesa nga Kuvendit.

Gjatë fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli potencoi rëndësinë e krijimit të kushteve sa më të mira në sektorin e arsimit, si dhe të rritjes së kualitetit në këtë fushë, si bazamenti kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit.

Veseli theksoi se arsimi është tejet i rëndësishëm, jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e të rinjve tanë, familjeve të tyre dhe shtetit të Kosovës. Ai tha se është detyrë e nxënësve të mësojnë më shumë, ndërsa e institucioneve të bëjnë më shumë për fëmijët dhe të rinjtë.

Në vazhdim, ai theksoi rëndësinë e shkollës së mesme të mjekësisë, reputacionin dhe kuadrin tejet të respektuar të saj në nivel vendi.
“Kjo shkollë me reputacion të jashtëzakonshëm, krijoi kuadro të respektuar jo vetëm për shëndetësinë e Mitrovicës, por për gjithë Kosovën”, tha Veseli.

Ai më tej rekomandoi që të rinjtë të jenë të përkushtuar për arsimim, ngase, shtoi kryetari Veseli, të arsimuarit janë bartësit e përgjegjësive të zhvillimit të shtetit.

“Çdo shkollë është shtyllë e shtetit. Me aftësimin tuaj, ju do t’u shërbeni qytetarëve, shëndetësisë dhe atdheut, Kosovës tonë të dashur”, përfundoi Veseli.

Në prerjen e shiritit të kësaj shkolle, morën pjesë edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Exit mobile version