Ballina Lajmet Kosovë Veseli dëgjon studentët dhe profesorët e Prizrenit

Veseli dëgjon studentët dhe profesorët e Prizrenit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vazhduar turin e tij të dëgjimit të qytetarëve, ku të premten ka qëndruar në qytetin e Prizrenit, për të bashkëbiseduar me studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Veseli i ka ftuar profesorët dhe studentët që të shpalosin idetë dhe propozimet e tyre për të ardhmen e tyre dhe të Universitetit.

Nehat Gashi, nënkryetar i Unionit të Studentëve të universiteteve publike të Kosovës, tha se duhet të hapen mundësi për punësimin e studentëve të profileve të ndryshme.

Ndërsa, Shkëlqim Millaku, profesor në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prizrenit, kërkoi që për studentët e Prizrenit të ndërtohet edhe kampusi ku do të kishte mundësi për banim dhe ushqim për studentët.

Pasi dëgjoi studentët dhe profesorët, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se dëgjimi i tij në turin që po zhvillon nëpër vende të ndryshme të Kosovës do t’i shërbejë për të hartuar platformën e së ardhmes për Kosovën.

“Sot kam ardhur për vizitë në Universitetin e Prizrenit ‘Ukshin Hoti’, në mënyrë që të bashkëbisedoj. Në fakt, të dëgjoj më tepër këta akademikë dhe studentët, për ballafaqimet e tyre me sfida, me vështirësi, por në të njëjtën kohë edhe për të dëgjuar mendimet e tyre se si të ecim përpara. Vetëm me një bashkëbisedim korrekt mes nesh, ne mund të ecim përpara. Niveli akademik i studimeve ka rëndësi të jashtëzakonshme për ecjen e Kosovës përpara në rrugën e vet drejt integrimeve euro atlantike”, tha Veseli.

Exit mobile version