Ballina Lajmet Kosovë Veseli: Kosova mund ta luftojë korrupsionin

Veseli: Kosova mund ta luftojë korrupsionin

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh lider i PDK-së, ka thënë se për të luftuar korrupsionin ka shumë rëndësi që të ndërtohen struktura institucionale që shpërblejnë ndershmërinë dhe transparencën, duke minimizuar kështu mundësitë dhe hapësirat korruptive dhe duke ndëshkuar abuzuesit e posteve shtetërore.

Në një intervistë për Telegrafin, Veseli ka thënë se opozitës i ka propozuar disa herë ndërmarrjen e një nisme legjislative për hartimin e një ligji të pastërtisë së figurës publike, me të cilin do t’u pamundësohej të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, që të kandidojnë për detyra të larta shtetërore.

Për të parandaluar korrupsionin, kryeparlamentari Veseli ka thënë se duhet të luftohet edhe kultura korruptive, sepse krim bëjnë edhe ata që japin ryshfet, jo vetëm ata që marrin.

Veseli, po ashtu, ka folur në këtë intervistë edhe për Drenasin, reformën zgjedhore, si dhe kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Telegrafi: Z. Veseli, këto ditë është folur shumë për luftën kundër korrupsionit. Kemi pasur reagime të ashpra, sidomos nga ambasadori amerikan dhe ai britanik, të cilët bënë thirrje që të dënohen zyrtarët e përfshirë në korrupsion. Si e shihni ju këtë dukuri negative, mjaft shqetësuese për qytetarët?

Veseli: Sikurse edhe në vendet e tjera në tranzicion, edhe në Kosovë korrupsioni është një prej pengesave kryesore të forcimit të ekonomisë dhe demokracisë. Është e vërtetë që ai po shkakton një dëm të madh për çdo qytetar, duke rritur koston e jetës dhe duke ulur cilësinë e shërbimeve publike. Dhe natyrisht se ka një kosto të papërballueshme edhe për ekonominë tonë, duke dëmtuar klimën e biznesit dhe duke dekurajuar investitorët e brendshëm e të jashtëm. Por, për ta luftuar këtë dukuri negative, duhet të angazhojmë në mënyrë maksimale vëmendjen, energjitë dhe burimet e çdo faktori në shoqërinë tonë. Kosova mund ta luftojë korrupsionin.

Exit mobile version