Ballina Lajmet Kosovë Veseli: Me ligjin për veteranët riafirmojmë vlerat e luftës çlirimtare

Veseli: Me ligjin për veteranët riafirmojmë vlerat e luftës çlirimtare

Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur sot para deputetëve lidhur me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit ekzistues për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha e përmes këtij ligji Kuvendi i Kosovës eliminon mangësitë e ligjit paraprak dhe krijon hapësirën e mjaftueshme ligjore për një trajtim meritor të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Lexoni të plotë deklaratën e kryeparlamentarit:

“Jemi në prag të vitit të ri, dhe sot ndihem shumë i lumtur që po e përmbyllim këtë sesion parlamentar, me një vendimmarrje të përbashkët, për ata që më se shumti kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fakt, sot kemi përpara Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit ekzistues për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes këtij ligji të ri, Kuvendi i Kosovës, eliminon mangësitë e ligjit paraprak dhe krijon hapësirën e mjaftueshme ligjore për një trajtim meritor të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes këtij ligji ne riafirmojmë vlerat e luftës sonë çlirimtare, përkushtimin, mundin dhe sakrificën e mijëra burrave e grave të Kosovës për liri, pavarësi dhe shtet të pavarur e sovran.

Kosova, krenohet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Krenohet me heronjtë e saj, krenohet me veteranët e saj.

Ky ligj është ligj i dinjitetit të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës .

Duke miratuar së bashku këtë ligj, ne hedhim poshtë të gjitha pretendimet që synojnë të denigrojnë figurën e veteranit të luftës çlirimtare, të gjitha pretendimet që e vendosin veteranin e UÇK-së në kategorinë e lëmoshës, apo të barrës fiskale për buxhetin e shtetit.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë emblemë e Kosovës së Lirë.

Me çlirimin e Kosovës ata nuk e kanë thënë fjalën e tyre të fundit.

Sot ata janë pjesë aktive e shtetndërtimit, e fuqizimit të shtetit ligjor, demokracisë, zhvillimit ekonomik.

Me këtë ligj ata nuk kërkojnë privilegje për vete, por vetëm të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë.

Në fund dua të falënderoj shoqatat e dala nga lufta për bashkëpunimin e frytshëm që kemi pasur gjatë këtyre ditëve në draftimin e këtij ligji.

Ky është edhe një shembull që na tregon se kur punojmë së bashku proceset ecin përpara”.

Exit mobile version