Ballina Lajmet Kosovë Vetëvendosje mbanë mbledhje të jashtëzakonshme, për këtë arsye

Vetëvendosje mbanë mbledhje të jashtëzakonshme, për këtë arsye

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje sot mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, ku u shqyrtua gjendja politike, kriza institucionale dhe siç theksuan “loja e rrezikshme e Presidentit Hashim Thaçi”, duke ftuar kështu Lidhjen Demokratike të Kosovës në protesta kundër Thaçit.

Vetëvendosje mori vendim që të ftojë LDK-në për organizimin e përbashkët të protestave dhe të fillojnë përgatitjet për to.

Në njoftimin për media të VV-së thuhet se nga Kryesia e Vetëvendosjes ngarkohen kryetari, Albin Kurti, nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe kryetari i Grupit Parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, që të vendosin kontaktet dhe të zhvillojnë takim me udhëheqjen e LDK-së.

Vetëvendosje thekson se është e nevojshme që më së largu të premten të përcaktohet data e protestës.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa mandat të Kuvendit po vrapon në negociata pa parime me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ne nuk mund të lejojmë pazare me sovranitetin, territorin dhe kufijtë e Kosovës. Aventura personale e Presidentit të Kosovës është e papranueshme. Ai po i mashtron si qytetarët e Kosovës ashtu edhe ata të Kosovës Lindore. Prandaj, ai duhet të largohet”, thuhet në njoftim.

Sipas VV-së, Qeveria e pakicës po e bojkoton Kuvendin e Republikës dhe se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duhet të dorëhiqet.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Kërkojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nevojitet legjitimitet i ri i një qeverie të re. Institucionet e Kosovës nuk po funksionojnë. Kuvendi është bllokuar. Presidenti i Serbisë do të vijë në Kosovë këtë fundjavë, por qeveria dhe policia e Kosovës nuk do ta arrestojë atë. ‘Zajednica’ Thaçi-Vuçiq është evidente. Presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të hyjë në Kosovë”, thekson lëvizja Vetëvendosje.

Sipas kësaj lëvizje, sa më shpejt nevojiten ndryshime për ta shpëtuar Republikën e Kosovës dhe se protestat janë të domosdoshme.

“Gatishmëria e popullit është e lartë. Sepse masivisht kuptohet dëmi që mund të sjellë vonesa. Le t’i kthehemi qytetarëve dhe le t’i mbushim bashkë sheshet. Le të organizojmë tubime me qytetarë për protesta qytetare. Ta ruajmë dhe mbrojmë shtetësinë dhe pavarësinë, sovranitetin dhe kushtetushmërinë, integritetin territorial e institucional të Republikës së Kosovës, popullsinë tonë në trojet e saj!”, thuhet në njoftimin për media të lëvizjes Vetëvendosje.

Exit mobile version