Dy helikopterë përplasen dhe rrëzohen gjatë uljes, një i vdekur
Një burrë, një indian sipas informacionit fillestar, u vra në përplasjen dhe rrëzimin e dy helikopterëve ndërsa ata përpiqeshin të uleshin në zonën e malit Everest, në Nepal, informoi policia AFP-në.
Një video e përplasjes vdekjeprurëse është bërë virale:
“Një person vdiq në vend” ndërsa një person i dytë “u dërgua në spital”, tha për AFP-në Nabin Raja Budhathoki, shefi i policisë në distriktin Soluhumbu, pa dhënë detaje.
Helikopterët e vegjël përdoren shpesh në malet Himalaje për të transportuar turistë, alpinistë dhe furnizime, ose për të kryer operacione kërkim-shpëtimi. Megjithatë, terreni veçanërisht i vështirë dhe moti i paparashikueshëm i bëjnë fluturimet ndonjëherë shumë të rrezikshme.
Mijëra alpinistë dhe shëtitës vizitojnë Nepalin çdo vit, vendin ku ndodhen 8 nga 14 malet më të larta në planet. /tesheshi.com/
