Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Virusi misterioz” përfshin Kubën: sistemi shëndetësor në kolaps

“Virusi misterioz” përfshin Kubën: sistemi shëndetësor në kolaps

Kuba po përballet me një krizë të rëndë shëndetësore, pasi një sëmundje e panjohur, e quajtur nga qytetarët “virusi misterioz”, është përhapur në të gjithë vendin, duke prekur sipas burimeve lokale rreth një të tretën e popullsisë dhe duke e çuar sistemin shëndetësor në prag të kolapsit.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga 17 dhjetor janë raportuar të paktën 52 viktima, shumica fëmijë, ndërsa mbi 38 mijë raste dyshohet se janë të infektuara. Në disa rajone, përfshirë Camagüey dhe Holguín, raportohet se varrezat janë mbushur përtej kapaciteteve.

Spitalet, të përballura prej kohësh me mungesa të ilaçeve, ndërprerje të energjisë elektrike dhe burime të pamjaftueshme, nuk kanë më shtretër të lirë. Si pasojë, pacientët po trajtohen në dysheme, ndërsa shërbimet shëndetësore po funksionojnë në kushte emergjente.

Sëmundja shfaqet me simptoma të rënda si temperaturë e lartë, skuqje dhe zhveshje të lëkurës, ënjtje të nyjave, të vjella dhe diarre. Ekspertët thonë se diagnostikimi është i vështirë dhe dyshohet se bëhet fjalë për një “virus të kombinuar”, që përfshin disa infeksione njëkohësisht, si Dengue, Oropouche, Chikungunya, si dhe viruse respiratore përfshirë H1N1, RSV dhe Covid-19.

Situata është përkeqësuar edhe nga problemet infrastrukturore. Ndërprerja e trajtimit të ujit dhe mbushja e koshave të mbeturinave kanë krijuar kushte ideale për shumimin e mushkonjave, ndërsa mungesa e karburantit dhe insekticideve ka kufizuar masat parandaluese.

Autoritetet kubane e kanë pranuar ekzistencën e një shpërthimi epidemik, por ende nuk kanë shpallur gjendje emergjente shëndetësore. Shumë qytetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut akuzojnë qeverinë se po minimizon situatën reale. Sipas aktivistit Manuel Cuesta Morúa, shpërthimi nisi rreth pesë muaj më parë në Matanzas dhe autoritetet po fshehin shkaqet reale të vdekjeve përmes certifikatave zyrtare.

Kriza ka ngritur alarmin edhe ndërkombëtarisht. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë bërë thirrje për ndërhyrje urgjente. Kanadaja ka vendosur kontrolle shëndetësore dhe karantinë deri në shtatë ditë për udhëtarët që kthehen nga Kuba, ndërsa Spanja u ka këshilluar qytetarëve të saj të shmangin udhëtimet drejt ishullit për shkak të “një shpërthimi serioz” epidemik. /mesazhi

Exit mobile version