Automjetet elektrike të Volkswagen-it do të bëhen më të përballueshme, pasi kompania po prezanton një teknologji të re të baterive LFP (litium-hekur-fosfat) me dendësi të lartë energjie dhe masë më të ulët.
Ajo do të përdoret në gamën e veturave elektrike nga modelet më të vogla deri te ID.7. ID.2, i cili është i madhësisë së modelit Polo dhe pritet të dalë në vjeshtën e vitit 2025, do të ketë një çmim fillestar rreth 24 mijë euro, ndërsa versioni prodhues i konceptit ID.1 për vitin 2027 mund të kushtojë rreth 20 mijë euro.
Me këtë teknologji të re të baterive, pritet që edhe modelet e tjera elektrike të Volkswagen-it të ulin çmimin.
Bateritë LFP janë më të lira se ato me katodë nikel-mangan-kobalt (NMC), që përdoren aktualisht në serinë ID. Megjithëse LFP ka dendësi më të ulët energjie se NMC, Volkswagen synon ta kompensojë këtë duke vendosur më shumë qeliza në automjete përmes një sistemi të ri “cell-to-pack”. Platforma MEB, që është baza e të gjithë automjeteve elektrike të VW-së, do të përditësohet me emrin MEB Plus duke filluar nga viti 2026.
“Vendosëm të përmirësojmë platformën në MEB Plus vitin e ardhshëm dhe të prezantojmë sistemet e baterive cell-to-pack me bateri LFP. Kjo do të jetë një hap i madh përpara për ne në aspektin e kostove”, tha drejtori i Volkswagenit, Thomas Schafer.
Dizajni i qelizave në paketën e baterive është i ngjashëm me baterinë Blade të prodhuesit kinez BYD (qeliza të gjata për të rritur dendësinë e energjisë). Moduli i baterisë MEB31 që përdoret aktualisht në automjetet elektrike të VW-së kërkon një seri mbajtësesh metalike për të fiksuar modulet drejtkëndëshe, gjë që tashmë do të eliminohet.
Bateritë do të prodhohen në Evropë në një gigafabrikë në Salzgitter të Saksonisë së Poshtme, në pronësi të degës së VW-së, PowerCo. Fabrika do të ketë një kapacitet prej rreth 40 gigavat orë, dhe prodhimi i qelizave do të ndahet midis kimive LFP dhe NMC. Në plan janë edhe fabrika të reja për prodhimin e baterive.