Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Von der Leyen bën thirrje për “veprim të menjëhershëm” në lidhje me...

Von der Leyen bën thirrje për “veprim të menjëhershëm” në lidhje me migracionin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i kërkoi BE-së të marrë “veprim të menjëhershëm” për migracionin, duke përfshirë përforcimin e infrastrukturës në kufirin tokësor midis Türkiye-s dhe Bullgarisë, transmeton Anadolu.

Duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian, Ursula von der Leyen tha se “pa dyshim ka presione në rritje” në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Ajo tha se Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX) regjistroi 330.000 kalime të parregullta kufitare në vitin 2022, që është 64 për qind më shumë se një vit më parë dhe njëkohësisht shifra më e lartë që nga viti 2016.

Von der Leyen theksoi se “shumica e atyre që aplikojnë për azil nuk kanë nevojë për mbrojtje” ndërsa normat e kthimit mbeten të ulëta, rreth 22 për qind.

Për të bërë një “ndryshim të vërtetë në terren”, ajo tha se Komisioni Evropian do t’u propozojë udhëheqësve të BE-së “veprim të menjëhershëm” në katër fusha, në një samit të posaçëm për migracionin më 9-10 shkurt.

Sipas von der Leyen, “çështjet më urgjente tani janë në kufirin tokësor midis Bullgarisë dhe Türkiye-s” dhe aftësitë e menaxhimit të kufirit duhet të forcohen.

Sipas propozimit të Komisionit, BE-ja mund të sigurojë “infrastrukturë dhe pajisje, si dronë, radarë dhe mjete të tjera të mbikëqyrjes” dhe të rrisë praninë e FRONTEX-it.

Përveç kësaj, BE-ja duhet të trajtojë gjithashtu presionin në rritje në Mesdheun Qendror dhe të godasë rrjetet e kontrabandës.

Von der Leyen gjithashtu tha se BE duhet të sigurojë më shumë kthime me dinjitet dhe më të shpejta të atyre që u është refuzuar kërkesa për azil, si dhe “solidaritet dhe përgjegjësi” midis shteteve anëtare në menaxhimin e aplikimeve.

Përpos kësaj, ajo vlerësoi se BE-ja duhet të gjejë një “ekuilibër të drejtë” në bashkëpunim me vendet fqinje dhe vendet e origjinës.

“Partneritetet për talentet, politika e vizave, tregtia dhe investimet luajnë një rol të rëndësishëm këtu, si dhe mundësitë për rrugë të sigurta dhe ligjore si pjesë e qasjes sonë të përgjithshme gjithëpërfshirëse ndaj menaxhimit të migracionit”, tha von der Leyen.

Exit mobile version