Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka nisur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.
Në fillim të seancës, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u ngarkohen, ndërsa më pas procesi ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve.
Prokurori i rastit, Ismet Rrahmani, deklaroi se Prokuroria do të dëshmojë përmes videoincizimeve, dëshmive të dëshmitarëve dhe provave të tjera materiale se vrasja e rreshterit Lika ishte rezultat i një plani të mirëorganizuar dhe i bashkëveprimit të të gjithë të pandehurve.
Sipas tij, provat do të tregojnë se secili nga të akuzuarit ka pasur rol të caktuar në realizimin e veprës penale dhe se veprimet e tyre nuk kanë qenë të rastësishme.
“Duke u bazuar në videoincizimet, do të vërtetohet se të pandehurit në bashkëkryerje, duke ndërmarrë veprime të caktuara, kanë qenë pjesëmarrës duke e ndihmuar të miturin Rejhan Bela. Koordinimi, lëvizjet dhe veprimet e secilit të pandehur dëshmojnë se nuk bëhej fjalë për rastësi, por për një plan të parapërgatitur që kishte për qëllim vrasjen e rreshterit Muhamet Lika”, tha prokurori.
Ai shtoi se dëshmitë e banorëve të objektit ku ndodhi krimi, dëshmitarëve të tjerë dhe pamjet e kamerave të sigurisë do të mbështesin pretendimet e Prokurorisë për mënyrën se si është organizuar dhe kryer vrasja.
Sipas prokurorit, videoincizimet tregojnë se Haki Bela kishte përcjellë lëvizjet e rreshterit Lika që nga dalja e tij nga stacioni policor dhe ishte rikthyer në afërsi të vendit të ngjarjes pak minuta pas vrasjes.
Ndërkaq, për Rilind Muratin u tha se është parë duke u larguar së bashku me të miturin Rejhan Bela pas kryerjes së krimit, ndërsa Vatan Çaka, sipas Prokurorisë, është parë në shoqërinë e tyre duke vëzhguar vendin e ngjarjes para se të ndodhte vrasja.
Prokurori tha gjithashtu se Edmond Lika dhe Shkëlqim Kuka kishin përcjellë lëvizjet e viktimës nga stacioni policor deri në afërsi të banesës së tij, duke lëvizur me automjete të ndryshme drejt vendit ku u krye vrasja.
Sa i përket të akuzuarit Diamant Gashi, Prokuroria pretendon se ai ka ndihmuar të miturin Rejhan Bela pas kryerjes së veprës, duke e strehuar dhe furnizuar me ushqim e gjësende të tjera, gjë që, sipas saj, është vërtetuar edhe përmes përgjimeve telefonike.
Prokurori Rrahmani theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të paraqiten videoincizime, fotografi, dëshmi të dëshmitarëve, raporti i autopsisë, predhat e sekuestruara dhe prova të tjera materiale, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se rreshteri Muhamet Lika ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.
