Dy ditë pas krimit makabër që ndodhi në Salzgitter të Gjermanisë, detaje të reja janë publikuar nga mediat atje. Vrasja e shqiptares nga Kosova, Emine Abazaj dhe plagosja e motrës së saj ka tronditur jo vetëm opinionin publik dhe komunitetin atje, por ka vënë gjithashtu në pikëpyetje veprimet e policisë.
Nëna e 4 fëmijëve, të moshës 2 e gjysmë deri në 6 vjeç, u vra pasditen e së hënës nga ish-partneri i saj, i identifikuar si Anton B.
Ai shkoi në shtëpinë ku jetonte 30-vjeçarja me makinën e tij Golf 7 dhe zbrazi një karikator të tërë në drejtim të dy motrave.
Gjithçka ndodhi në sy të fqinjëve të shumtë, të cilët njoftuan menjëherë ambulancën.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 30-vjeçarja ndërroi jetë në vendngjarje, pasi kishte marrë plagë në kokë. Ndërsa motra e saj Arlinda, 32-vjeç, mori një plumb në bark dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Çifti, i martuar me dasmë tradicionale, por jo sipas ligjeve gjermane ishin në gjyq për kujdestarinë e fëmijëve.
Adresa e shtëpisë iu dha nga gjykata
Duke qenë se ndihej e kërcënuar nga ish-partneri i saj, Emine mësohet se jetonte në një shtëpi nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane. Madje mbi Anton B, i cili nuk ishte emër i panjohur për policinë, kishte një urdhër ndalimi për të mos iu afruar gruas.
Por pikërisht gjatë seancës së radhës, të zhvilluar të hënën, një pakujdesi në gjykatë zbuloi adresën ku jetonte 30-vjeçarja, duke i dhënë kështu dënimin me vdekje.