Një civil palestinez u vra dhe disa të tjerë u plagosën në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve spitalore, ushtria izraelite shënjestroi me një dron një grup civilësh në zonën Beit Lahia në Gazën veriore. Sulmi me dron izraelit rezultoi në vrasjen e Sami Ahmed Abu Darda ndërsa disa të tjerë u plagosën.
Më herët në mëngjes, ushtria izraelite shkeli marrëveshjen e armëpushimit me Hamasin duke bombarduar me sulme ajrore pjesët veriore, qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës. Burime spitalore njoftuan se dy civilë palestinezë, prej të cilëve një grua, u plagosën në zonën Jabalia të Gazës si pasojë e të shtënave izraelite.
– Armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja për shkëmbimin e pengjeve
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi më 9 tetor se Izraeli dhe Hamasi kishin miratuar fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza gjatë negociatave që po zhvilloheshin në Egjipt.
Marrëveshja e nënshkruar në Egjipt ku u zhvilluan negociatat, hyri në zbatim më 10 tetor me miratimin e qeverisë izraelite. Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Rripin e Gazës, ushtria izraelite vazhdon herë pas here sulmet ndaj palestinezëve me pretendime të ndryshme.
Sipas planit të Trumpit, faza e dytë parashikon rindërtimin e enklavës, krijimin e një Bordi Paqeje dhe një Force Ndërkombëtare Stabilizimi si dhe një administratë për Rripin e Gazës.
