Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vuçiç: Kroacia po armatoset “kundër Serbisë”

Vuçiç: Kroacia po armatoset “kundër Serbisë”

Aleksandar Vučić

Beograd – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se është i shqetësuar për nivelin e modernizimit të Forcave të Armatosura të Kroacisë, duke thënë se armatosja në rajon nuk po ndodh “pa arsye”, por është e drejtuar kundër Serbisë.

Duke folur në hapjen e Konferencës së Ambasadorëve në Beograd, Vuçiç tha se disa takime dhe marrëveshje rajonale po minimizohen në opinionin publik, ndërsa sipas tij ato lidhen drejtpërdrejt me proceset e sigurisë në rrethimin e Serbisë.

Ai u ndal veçanërisht te Kroacia, duke pyetur “kundër kujt” po blihen qindra mjete të reja ushtarake, 18 obusë vetëlëvizës CAESAR, avionë dhe mjete kundërajrore. Vuçiç pretendoi se “nuk ekziston asnjë objektiv tjetër përveç rrezikimit të Serbisë”. Në mënyrë ironike ai përmendi edhe Austrinë, duke thënë se kjo armatosje “nuk bëhet për shkak të Austrisë, por për shkak të Serbisë”.

Presidenti serb shtoi se është e vështirë të besohet se Serbia do të kishte qëllim të sulmonte ndonjë vend në rajon, duke theksuar se NATO do të ishte gjithsesi një faktor i fortë parandalues.

Sa i përket obusëve CAESAR, Kroacia në fillim të dhjetorit nënshkroi një kontratë për blerjen e 18 njësive të këtij sistemi, si dhe një letër qëllimi për pajisje shtesë për avionët luftarakë Rafale.

Deklaratat e Vuçiç vijnë në një kohë debatesh të shtuara për sigurinë dhe buxhetet e mbrojtjes në Evropë, ku shumë shtete po rrisin investimet në armatim, veçanërisht në kuadër të NATO-s dhe iniciativave të Bashkimit Evropian.

Exit mobile version