Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vuçiq nuk e përjashton mundësinë e kandidimit për kryeministër të Serbisë

Vuçiq nuk e përjashton mundësinë e kandidimit për kryeministër të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se nuk e përjashton mundësinë që të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por theksoi se një vendim i tillë duhet të jetë si vendim i tij personal, ashtu edhe i qytetarëve, transmeton Anadolu.

“Nuk është as koha e as vendi për të folur për këtë. Së pari duhet të jetë vendimi im, nëse ndihem mjaftueshëm i aftë dhe nëse e dua këtë, e më pas edhe vendimi i popullit”, u tha Vuçiq gazetarëve në Presidencën e Serbisë, duke u bërë thirrje kolegëve partiakë që të mos spekulojnë për kandidaturën e tij të mundshme, raportuan mediat serbe.

Ai tha se qytetarët duan ndryshime, por jo, siç u shpreh ai, “kaos”, por ndryshime që garantojnë stabilitet dhe siguri. Ai shtoi se, pas 14 vitesh në pushtet, është e natyrshme të ekzistojë dëshira për ndryshime, përfshirë edhe tek mbështetësit e tij.

Vuçiq pranoi se ka vërejtje për punën e tij dhe se mendon se në disa momente mund të kishte bërë më shumë, por theksoi se janë arritur rezultate që sot merren si të mirëqena, si kursi i qëndrueshëm i dinarit, ulja e borxhit publik në raport me produktin e brendshëm bruto dhe rritja e pagave mesatare dhe pensioneve.

Ai vlerësoi se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë ai që arrin t’i bindë votuesit se mund të sjellë njëkohësisht stabilitet dhe ndryshime. Gjithashtu tha se ende ka energji dhe motivim për të ushtruar funksione të vështira shtetërore.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, për të cilat po flitet gjithnjë e më shpesh në qarqet politike, pritet të mbahen më vonë gjatë këtij viti, ndonëse data e saktë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Exit mobile version