Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po pretendon se e di mirë agjendën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe se sipas “njerëzve të vet” ky i fundit do të takohet sot në Paris me hiq më pak se presidentin e Francës, Emanuel Macron.
Por, që nga kabineti i Kurtit, deri në këto momente nuk ka pasur njoftim për takim të tillë, e as në faqen e presidencës franceze, diçka e tillë nuk është në kalendarin e aktiviteteve të Macron.
Vuçiq e “zbuloi” me krenari këtë informatë ekskluzive mbrëmë në një intervistë në TV Prva.
“Ne kemi njerëzit tanë në mjedisin e Kurtit dhe kemi agjendën e tij për bisedën me presidentin francez”, tha ai duke pohuar se Kurti do të shkojë të Macroni me dy kërkesa.
Sipas tij, e para që ëhstë që Franca ta kushtëzojë Serbinë të mos përdorë armë kundër shqiptarëve dhe e dyta: të mbështesë propozimin që NATO-ja të largohet nga Zona e Sigurisë Tokësore në veri dhe që Forcat e Sigurisë së Kosovës të vijnë në veri, por Vuçiqi është i sigurt se miku i tij francez nuk do ta mbështesë.
