Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se vendimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi do të merret brenda një ose dy muajsh, raporton Anadolu.
“Biseduam për shërbimin ushtarak, për ato 75 ditë. Do të marrim vendim së shpejti. Pyetja është nëse shërbimi zyrtar do të fillojë në dhjetor apo në mars, por patjetër që do ta marrim këtë vendim në një ose dy muajt e ardhshëm dhe do ta miratojmë në Kuvendin e Serbisë”, tha Vuçiq duke shtuar se regjistrimi i rekrutëve do të fillojë në shtator ose tetor.
Lidhur me faktin nëse shërbimi ushtarak do të fillojë në dhjetor apo mars të vitit të ardhshëm, Vuçiq tha se kjo varet nga përgatitjet, pasi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, të raportojë mbi rezultatet e analizës së gjendjes, aftësive operative dhe funksionale të ushtrisë për vitin 2025.
“Duhet të përgatisim të gjitha objektet, duhet të përgatisim mjaftueshëm gjithçka, pra pushkë, çizme, qendra rekrutimi, qendra regjistrimi. Duhet t’i përmirësojmë klinikat, t’i rinovojmë, t’i rregullojmë ndryshe. Këto janë çështje të rëndësishme për ne dhe duam të jemi të gatshëm që këta të rinj t’i kalojnë ato dy muaj e gjysmë në kushtet më të mira, në mënyrë që ta kujtojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që të fitojnë përgjegjësi, të fitojnë seriozitet”, tha Vuçiq.
Në fund të vitit 2010, Qeveria e Serbisë mori një vendim për pezullimin e shërbimit ushtarak, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2011.
