Ballina Lajmet Kosovë VV-ja reagon pas aktakuzave ndaj Thaçit dhe Veselit, kërkon zgjedhje të reja

VV-ja reagon pas aktakuzave ndaj Thaçit dhe Veselit, kërkon zgjedhje të reja

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj aktakuzave të Gjykatës Speciale kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke thënë se akuzat ndaj tyre lidhen me luftën e UÇK-së, e cila mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare, duke shtuar se si shqiptarë, natyrisht, shpresojnë që ata të kthehen të pafajshëm.

Po ashtu përmes këtij reagimi Vetëvendosja ka kërkuar zgjedhje të reja.

Ky është reagimi i VV-së:

Morëm vesh sot për thirrjen para Gjykatës Speciale edhe të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. Akuzat ndaj tyre lidhen me luftën e UÇK-së, e cila për ne mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare. Si shqiptarë, natyrisht, shpresojmë që ata të kthehen të pafajshëm.

Fatkeqësisht Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësisë, të cilat nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, e njëkohësisht i ka përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

E vlerësojmë gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar. Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave. Dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj.

Tash Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës. Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj. Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj.

Exit mobile version