Ushtria e SHBA-së ka përdorur modelin e inteligjencës artificiale Claude të kompanisë Anthropic gjatë operacionit për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, raportoi të shtunën The Wall Street Journal (WSJ), transmeton Anadolu.
Gazeta, duke cituar burime anonime, tha se Claude u përdor përmes partneritetit të Anthropic me Palantir Technologies, një kontraktor për agjencitë e mbrojtjes dhe zbatimit të ligjit federal të SHBA-së.
Sipas lajmit, pas sulmit, një punonjës i Anthropic e ka pyetur një homolog në Palantir Technologies se si ishte përdorur Claude në operacion.
Anthropic u bë zhvilluesi i parë i njohur i inteligjencës artificiale, teknologjia e të cilit është përdorur në një operacion të klasifikuar nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, megjithëse mbetet e paqartë se si u përdor mjeti – i aftë për detyra që variojnë nga analiza e dokumenteve PDF deri te orientimi i dronëve autonomë.
Një zëdhënës i Anthropic refuzoi të komentojë nëse Claude është përdorur në operacion, thuhet në lajm.
“Çdo përdorim i Claude – qoftë në sektorin privat apo në institucionet qeveritare – duhet të jetë në përputhje me politikat tona të përdorimit, të cilat rregullojnë mënyrën se si mund të zbatohet Claude. Ne punojmë ngushtë me partnerët tanë për të siguruar përputhshmërinë”, i ka thënë zëdhënësi gazetës.
