Xhamia e Plumbit në Shkodër nuk është ndikuar nga përmbytjet e fundit, falë punimeve restauruese dhe infrastrukturore të realizuara me mbështetjen financiare të Turqisë, transmeton Anadolu.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, në rrjetet sociale ka publikuar një video nga Xhamia e Plumbit, duke theksuar se ndërhyrjet restauruese dhe konservuese, të realizuara me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, kanë mundësuar ruajtjen e plotë të vlerave të këtij objekti.
“Pavarësisht reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit, në Xhaminë e Plumbit, një objekt me vlera të rralla historike dhe kulturore, nuk janë evidentuar problematika. Pompat vijojnë të operojnë në kapacitet të plotë dhe sistemi i mbrojtjes funksionon normalisht, duke garantuar monumentin nga përmbytjet”, ka theksuar Gonxhja.
Në vitet e kaluara kjo xhami përmbytej gjatë reshjeve të shiut që përfshin Qarkun e Shkodrës.
Xhamia e Plumbit në Shkodër, pas restaurimit me mbështetjen financiare të Turqisë rifitoi shkëlqimin e dikurshëm dhe u hap për besimtarët në maj të vitit 2025.
– Historiku i Xhamisë së Plumbit në Shkodër
Xhamia e Plumbit është xhamia më e madhe e stilit osman që ruhet në Shqipëri, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera.
Xhamia është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.
Xhamia e Plumbit në vitin 1948 u shpall monument kulturor, duke pasur statusin e mbrojtjes nga shteti.
Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve.
Ajo mbetet një xhami simbol në Shqipëri, pasi rihapi dyert për besimtarët muslimanë më 16 nëntor të vitit 1990 pas ndalimit shumëvjeçar të fesë në vend gjatë periudhës së komunizmit.
