Nuk është prej devotshmërisë dhe kuptimit të drejtë të fesë me ju kërkuar xhematit mos me fal xhumanë diten e Bajramit.
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “O ju që besuat! Kur të thirret ezani për namaz në ditën e xhumasë, nxitoni…”( El-Xhumah 9)
Ky ajet është i përgjithshëm dhe nuk përjashton asnjë kategori kolektive. Raste individuale që lirohen nga falja e namazit të xhumasë, burojnë nga mëshira hyjnore dhe situatave të veçanta.
Namazi i Bajramit dhe namazi i xhumasë janë dy adhurime të ndryshme, njëri nuk e zëvendëson tjetrin. Prandaj, falja e njërit nuk anulon obligimin e faljes së tjetrit për ata tek të cilët është obligim namazi i xhumasë.
Muhamedi s.a.v.s. i lejoi disa njerëz, të cilët nuk e kishin obligim faljen e xhumasë, që të mos marrin pjesë në namazin e xhumasë, edhe pse ndodheshin në Medinë për Bajram. Ata prezantuan në namazin e Bajramit për shkak të madhështisë dhe bukurisë së Bajramit. Këta ishin beduinë – banorë të shkretëtirës – që vinin nga larg, e nuk ishin banorë të qytetit, këta nuk e kishin obligim namazin e bajramit dhe as të xhumasë. Pejgamberi (s.a.v.s.) ju ka thënë: “Ju keni falur me ne namazin e Bajramit, e ne do të falim edhe namazin e xhumasë.” (Muslim)
Kjo tregon se Muhamedi s.a.v.s. dhe shokët e tij – banorët e qytetit – falën namazin e xhumasë edhe kur kishin falur Bajramin.
Dijetarët e konsiderojnë obligim për banorët e qytetit apo për ata që kanë obligim xhuman, edhe nëse kanë falur më parë namazin e Bajramit, pasi që ata nuk kanë justifikim për mungesë.
Çdo besimtar është përgjegjës për obligimet e tij fetare. Përjashtimet kërkojnë argumente të qarta dhe të forta, e jo interpretime të dobëta që nuk mbështeten në argumente bindëse.
Si mundet të thuhet se një adhurim si namazi i xhumasë nuk është obligim, vetëm përmes interpretimeve të disa hoxhallarëve – aq më tepër kur institucionet kompetente fetare në vendin tonë e kanë sqaruar qëndrimin zyrtar, se është obligim falja e xhumasë, qëndrimi i tyre e eliminon veprimin ndryshe.
Pra, namazi i xhumasë është obligim edhe nëse Bajrami bie në të njëjtën ditë.
Xhumaja është farz në kohën e drekës, ndërsa Bajrami është vaxhib pas namazit të sabahut. Nëse këto dy adhurime përkojnë në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë, përparësi i jepet xhumasë që është farz, dhe nëse duhet bërë zgjedhje, ajo ka përparësi ndaj Bajramit. Por, nëse ekziston mundësia për t’i falur të dyja, atëherë – sipas rregullave të hadithologëve – veprohet me të gjitha tekstet pa përjashtuar asnjërën: falen të dyja.
Është e çuditshme që ata që pretendojnë se xhumaja nuk është obligim në ditën e Bajramit – edhe pse janë pakicë – të tillet thonë se namazi i Bajramit është sunet. Si është e mundur të braktiset një farz për shkak të një suneti? Kurrë farzi nuk e arrin shpërblimin me sunet.
Edhe nëse ndokush mendon se xhumaja nuk është obligim në atë ditë, kjo nuk nënkupton që duhet të bëhet thirrje për mosfaljen e saj. Kjo është një çështje teorike, dhe jo praktike. Kur ndodhi ndonjëherë në historinë islame që në ditën e Bajramit të mos falet fare xhumaja dhe të mbyllen xhamitë për këtë namaz?
Nuk është devotshmëri dhe as urtësi që xhematit t’i thuhet ose që vetë xhemati të kërkojë që të mos falet xhumaja ditën e Bajramit. Xhumaja nuk është e ndaluar atë ditë, as nuk është haram. Përkundrazi, ajo është e kërkuar, dhe në tërësinë absolute dhe historike, gjithmonë është falur edhe xhumaja në ditën e Bajramit
Hoxhë Muhamed Stublla
