Udhëheqësi i përkohshëm i Bangladeshit, Muhammad Yunus, ka dhënë dorëheqjen në një fjalim lamtumire drejtuar kombit, përpara dorëzimit të pushtetit tek qeveria e dalë nga zgjedhjet.
Fituesi 85-vjeçar i Çmimit Nobel për Paqen tha se largimi nga pushteti i ish-kryeministres Sheikh Hasina në vitin 2024, pas një kryengritjeje të udhëhequr nga studentët, përbënte “ditën e çlirimit të madh” për vendin. Ai kujtoi se Hasina u largua drejt Indisë pas rrëzimit të regjimit të saj.
Yunus ka drejtuar vendin si “këshilltar kryesor” gjatë periudhës tranzitore dhe tani ia dorëzon pushtetin qeverisë së zgjedhur, duke përgëzuar Partinë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP) dhe liderin e saj Tarique Rahman për fitoren e thellë në zgjedhjet e fundit.
Sipas Komisionit Zgjedhor, aleanca e udhëhequr nga BNP fitoi 212 vende parlamentare, kundrejt 77 vendeve të aleancës së drejtuar nga Jamaat-e-Islami. Kreu i saj, Shafiqur Rahman, pranoi humbjen dhe deklaroi se partia do të shërbejë si opozitë paqësore.
Në të njëjtën ditë me zgjedhjet u mbajt edhe një referendum kombëtar, ku votuesit miratuan reforma të gjera demokratike, të përfshira në dokumentin e njohur si “Karta e Korrikut”. Ajo parashikon kufizime mandatesh për kryeministrin, krijimin e një dhome të lartë të parlamentit, forcimin e kompetencave presidenciale dhe pavarësi më të madhe të gjyqësorit.
Deputetët e rinj pritet të betohen të martën, ndërsa Tarique Rahman pritet të marrë detyrën si kryeministri i ri i Bangladeshit. /mesazhi
