Ballina Artikuj Zanafilla e shkencës së hadithit

Zanafilla e shkencës së hadithit

Abedin Musallari

Kritika dhe vlerësimi i transmetuesve të hadithit është art i hershëm. Zanafilla e kësaj shkence daton që nga koha e sahabëve. Shembull: Said ibn Xhubejri tregon: “I thashë Ibn Abasit (r.a): “Neuf Bikali pretendon, se Musai (a.s), – i Dërguari tek çifutët – nuk është Musai, i cili përmendet në Kuran me Hizrin (a.s). Ibn Abasi (r.a) tha: “Ka gënjyer armiku i Allahut! Kam dëgjuar Ubej ibn Kabin, duke thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Musa (a.s) doli para çifutëve dhe njëri prej tyre e pyeti: “Kush është njeriu më i ditur”? Më pas Ubeji (r.a) tregoi hadithin, që flet për tregimin me Hizrin (a.s)”.

Imami i madh, Muhamed ibn Sirin, thotë: “Ata (sahabët/tabi`inët) nuk gjurmonin për vargun dhe nuk pyesnin, mirëpo pasi ndodhën trazirat, ata pyesnin: “Na i thoni emrat e transmetuesve”. Nëse transmetuesit ishin zbatues të Sunetit, dijetarët e pranonin hadithin, por nëse ishin pasues të bidatit, u refuzohej hadithi”.

Sahabët e të Dërguarit të Allahut (a.s ) tregoheshin tepër të kujdesshëm në transmetimin dhe pranimin e haditheve. Ata janë bazuar në parimet e përgjithshme kuranore, si:

– Ndalimi i gënjeshtrës.

– Refuzimi i informacionit të personave të shthurur apo të dyshimtë.

– Kusht për pranimin e një hadithi ishte, që transmetuesi të ishte i drejtë.

– Verifikimi i çdo çështjeje dhe ngjarjeje që ka të bëjë me hadithin.

– Ndalimi i transmetimit të informacioneve të rrejshme.

Sahabët ishin tepër të rezervuar në transmetimin e haditheve, ishin të kujdesshëm për vërtetësinë e tyre dhe mënyrat e transmetimit. Ata i kritikuan disa transmetime, duke i ballafaquar ato me tekstet dhe parimet e përgjthshme të Sheriatit.

Metodologjinë e sahabëve në pranimin dhe refuzimin e haditheve e ndoqën edhe tabi`inët, megjithëse këto rregulla akoma nuk ishin të shkruara. Nga kritikët e tabi`inëve përmendim Said ibn Xhubejrin, Salih ibn Abdullah ibn Umerin, Ata ibn ebi Rrabahun, Urueh ibn Zubejrin, Hasan Basriun, Muhamed ibn Sirinin dhe Amir Shabiun. Në brezin pas tyre – pra tabi`tabi`inëve – kjo disiplinë mori formë, megjithëse këto parime nuk ishin shkruar as në këtë kohë.

Shkaku për lindjen e kësaj shkence ishte numri i madh i trilluesve dhe atyre që gabonin në transmetimin e haditheve. Në këtë kohë u shquan këta kritikë: Shubeh ibn Haxhaxhi, Sufjan Theuri, Malik ibn Enesi, Ebu Hanife, Euzaiu, etj. Pas këtij brezi u shquan nxënësit e tyre, si: Jahja Katani, Abdurrahman ibn Mehdi, etj. Ata që filluan kodifikimin e hadithit ishin nxënësit e këtyre dijetarëve, ndër të cilët përmendim: Ahmed ibn Hanbel, Jahja ibn Maini, Ali ibn Medini, Is`hak ibn Rrahauejh dhe Amr ibn Ali Felas. Në këtë kohë, u shkruan shumë libra në disiplina të ndryshme të hadithit, si: disiplina “Kritika dhe vlerësimi”,“Shkaqet e dobësisë së hadithit” dhe biografitë e transmetuesve të hadithit. Për shembull: Në librin “El – Um” imam Shafiu trajton këto çështje: pranimi i hadithit ahad, kushtet e transmetuesve që u pranohet hadithi, pranimi i hadithit muanan, pranimi dhe refuzimi i hadithit mudelis, refuzimi i transmetimit nga transmetues që gabojnë shumë, si vërtetohet se një transmetues është adil, etj. Buhariu ka emërtuar disa kapituj në sahihun e tij, të cilët janë rregulla dhe parime të shkencës së hadithit, si: Kapitulli: “Thënia e Muhadithit: Na ka treguar dhe na ka informuar”, Kapitulli: Transmetimet që kanë të bëjnë me “Munauele”, Kapitulli: “Kur konsiderohet i vlefshëm dëgjimi i transmetimeve nga një vogëlush”, etj. Këtë metodë kanë ndjekur: Muslimi në Sahihun e tij, Tirmidhiu në librin e tij, Ebu Daudi në Sunenin e tij, etj. Deri në këtë kohë, nuk kemi një libër të veçantë, që flet për disiplinat e hadithit. Pas kësaj kohe, filloi shkrimi i posaçëm për disiplinat e hadithit.

Autor: Rushit Musallari

Exit mobile version