Islami është feja e moralit të mirë; ai e ka thirrur në të dhe ka kujdes të veçantë për edukimin e muslimanëve me këto virtyte.
Allahu i Lartësuar e ka lavdëruar Profetin e Tij duke thënë: “Vërtet, ti je me moral të madh.”[1]
Allahu e ka bërë moralin e mirë një shkak për arritjen e shkallëve të larta të Xhenetit. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe nxitoni drejt faljes nga Zoti juaj dhe drejt një Xheneti gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka, i përgatitur për të devotshmit, ata që japin lëmoshë në kohë begatie dhe në kohë vështirësie, që e përmbajnë zemërimin dhe i falin njerëzit; dhe Allahu i do bamirësit.”[2]
Allahu na urdhëron të zbukurohemi me moral të lartë, duke thënë: “E mira dhe e keqja nuk janë njësoj. Prandaj ktheje të keqen me atë që është më e mira, dhe atëherë ai me të cilin kishe armiqësi do të bëhet si mik i afërt.”[3]
Edhe Profeti (a.s) na ka nxitur të pajisemi me moral të lartë, duke thënë: “Frikësoju Allahut kudo që të jesh, pasoje të keqen me një të mirë që ta fshin atë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.”[4]
Prandaj, muslimani duhet të zbukurohet me moral të mirë dhe ta ketë shembull Profetin (a.s), i cili ishte njeriu me moralin më të përsosur dhe morali i tij ishte Kurani. Me moral të mirë, muslimani arrin gradat më të larta, fiton dashurinë e Allahut, të të Dërguarit të Tij dhe të besimtarëve, dhe fiton kënaqësinë e Allahut dhe hyrjen në Xhenet.
Allahu na bëftë ne dhe ju prej atyre për të cilët ka thënë Profeti (a.s): “Vërtet, më afër meje në Ditën e Kiametit janë ata që kanë moralin më të mirë.”[5]
O Allah, ne të kërkojmë falje, shëndet dhe mirëqenie të përhershme. O Allah, na i përmirëso moralet tona dhe na i zbukuro veprat tona. O Allah, ashtu siç na e ke zbukuruar krijimin tonë, na i zbukuro me mirësinë Tënde edhe moralet tona. O Zoti ynë, na fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij.
Burimi: kalemtayeb.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Kalem: 4.
[2] – Sure Ali Imran: 133 = 134.
[3] – Sure Fussilet: 34.
[4] – Tirmidhiu.
[5] – Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Hibbani.
