Ushtruesi i deritanishëm i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ia ka dorëzuar zyrtarisht detyrën Kryeprokurorit të ri, Zejnulla Gashi, në një ceremoni të mbajtur të mërkurën.
Me rastin e dorëzimit të detyrës, Qalaj i uroi suksese pasuesit të tij dhe e ftoi që ta ushtrojë me përgjegjësi funksionin e ri.
“Ju ftoj ta merrni këtë përgjegjësi me përkushtim dhe ju uroj shumë suksese në detyrën e re”, deklaroi Qalaj.
Nga ana e tij, Kryeprokurori i ri, Zejnulla Gashi, u shpreh se do ta kryejë mandatin në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe të sundimit të ligjit.
“Do të jem kryeprokuror i të gjithëve. Së bashku do të punojmë në funksion të forcimit të sundimit të ligjit”, tha Gashi.
Zejnulla Gashi ishte zgjedhur më herët në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa emërimi i tij u dekretua zyrtarisht nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
