Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zelensky u bën thirrje kompanive franceze të mos bëjnë biznes me Rusinë

Zelensky u bën thirrje kompanive franceze të mos bëjnë biznes me Rusinë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje kompanive franceze që të heqin dorë nga biznesi me Rusinë, duke thënë se ato nuk duhet të sponsorizojnë “makinën e luftës” së Moskës, ashtu siç kanë bërë shumë kompani perëndimore, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Gjatë një video-adresimi para Parlamentit francez më 24 mars, Zelensky tha se “kompanitë franceze duhet të heqin dorë nga tregu rus”.

“Renault, Auchan, Leroy Merlin dhe kompani të tjera duhet të ndalojnë së sponsorizuari makinën ruse të luftës”, tha ai.

Zelensky i tha Parlamentit francez se imazhet e qyteteve të shkatërruara ukrainase, siç janë ato të Mariupolit “të kujtojnë rrënojat e Verdunit, siç janë edhe fotografitë nga Lufta e Parë Botërore që të gjithë i kanë parë”.

“Ushtria ruse nuk bën asnjë dallim midis objektivave. Ata shkatërrojnë zona të banueshme, spitale, shkolla dhe universitete”, tha ai.

Kompania e makinave Renault, që pjesërisht është në pronësi të shtetit, muajin e kaluar ka pezulluar prodhimin në një fabrikë pranë Moskës, por që nga ajo kohë është raportuar se kjo kompani ka rifilluar prodhimin.

Ndërkaq, kompanitë e tjera të mëdha franceze si Auchan, Leroy Merlin dhe Decathlon, nuk kanë bojkotuar Rusinë, ashtu siç kanë bërë kompanitë kryesore perëndimore. /rel

Exit mobile version