Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e priti Vitin e Ri me një fjalim në të cilin u zotua se do të vazhdojë të punojë për një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por theksoi se një marrëveshje e tillë nuk mund të arrihet “me çdo kusht”.
Fjalimi 21-minutësh i natës së Vitit të Ri u mbajt ndërsa ai po përgatitej për rundin e radhës të negociatave për paqe dhe ndërkohë që forcat ukrainase goditën objektivat energjetike të Kremlinit pas intensifikimit të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë.
Një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara është “90 për qind” e përfunduar, tha Zelensky, por udhëheqësi ukrainas paralajmëroi se 10 për qindëshi i mbetur do të jetë i vështirë dhe se do të vendosë “fatin e paqes, të Ukrainës dhe të Evropës”.
“Çfarë do Ukraina? Paqe? Po. Me çdo kusht? Jo. Ne duam t’i japim fund luftës, por jo t’i japim fund Ukrainës”, tha Zelensky në adresimin televiziv.
“A jemi të lodhur? Shumë. A do të thotë kjo se jemi gati të dorëzohemi? Kushdo që e mendon këtë gabon rëndë”.
Udhëheqësi ukrainas theksoi se do të nënshkruajë vetëm një “marrëveshje të fortë”, pasi çdo nënshkrim “i vendosur në marrëveshje të dobëta vetëm sa do ta nxisë luftën”.
Në një fjalim shumë më të shkurtër drejtuar rusëve, presidenti Vladimir Putin, i tha vendit të tij se do ta fitojë luftën në Ukrainë, ndërsa foli për fatin e Rusisë dhe unitetin e qytetarëve të saj, të cilat, sipas tij, garantojnë sovranitetin dhe sigurinë e “atdheut”.
