Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zelenskyy dhe populli i Ukrainës do të marrin Çmimin e Katër Lirive

Zelenskyy dhe populli i Ukrainës do të marrin Çmimin e Katër Lirive

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe populli ukrainas do të marrin Çmimin ndërkombëtar të Katër Lirive këtë vit në njohje të “guximit dhe këmbënguljes” së tyre gjatë luftës së vazhdueshme, njoftuan sot organizatorët, transmeton Anadolu.

Çmimi nderon individë dhe organizata që promovojnë katër liritë themelore të artikuluara nga ish-presidenti i SHBA-së, Franklin D. Roosevelt në fjalimin e tij të vitit 1941 mbi Katër Liritë, përfshirë lirinë e fjalës dhe lirinë e fesë.

Në një deklaratë, Fondacioni Roosevelt tha se Zelenskyy dhe Ukraina kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e lirisë në mbarë botën gjatë vitit të kaluar.

“Presidenti dhe populli ukrainas vazhdojnë pa u lodhur të rezistojnë dhe të luftojnë për pavarësinë e tyre. Ata po luftojnë për sigurinë e të gjithë Evropës dhe po mbrojnë me jetën e tyre, atë që na mbron të gjithëve: lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit mbi ‘sundimin e më të fortit'”, thuhet në deklaratë.

Fondacioni tha se civilët ukrainas që nga fillimi i luftës në vitin 2022 treguan “qëndresë të jashtëzakonshme” pavarësisht kushteve të vështira, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.

Kryetari i Fondacionit Roosevelt dhe komisioner i mbretit në provincën holandeze Zeeland, Hugo de Jonge tha se lufta në Ukrainë është “luftë që na shqetëson të gjithëve”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 16 prill në Middelburg të Holandës, duke shënuar përvjetorin e fjalimit të Rooseveltit mbi Katër Liritë në Kongresin e SHBA-së.

Me çmimin, Zelenskyy i bashkohet listës së laureatëve të mëparshëm si Nelson Mandela, Kofi Annan, Angela Merkel dhe Malala Yousafzai.

Exit mobile version