Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se Kievi ka filluar prodhimin e përbashkët të dronëve interceptues me SHBA-në, duke e quajtur përpjekjen e re thelbësore ndërsa vendi përballet me vështirësi financiare në rritje dhe presion në fushën e betejës, transmeton Anadolu.
“Prodhim, bashkëprodhim amerikano-ukrainas”, tha Zelenskyy në një intervistë për televizionin “Bloomberg” të mërkurën vonë. “Shpresoj se në të ardhmen do të kemi më shumë”, shtoi ai.
Zelenskyy tha se iniciativa ka për qëllim të forcojë aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe të kompensojë vonesat në ndihmën e jashtme. Ai u bëri thirrje anëtarëve të BE-së të kapërcejnë përçarjet e brendshme mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse.
“Shpresoj, Zoti na bekoftë, se do ta marrim këtë vendim”, tha ai duke shtuar se pa qasje në asete, “do të duhet të gjejmë alternativë, është çështje e mbijetesës tonë”.
BE-ja ka shtyrë deri në dhjetor një vendim nëse do të shfrytëzojë asetet e ngrira ruse për të ofruar kredi në vlerë prej 140 miliardë eurosh.
Zelenskyy argumentoi se të ardhurat nga asetet e ngrira ruse do ta ndihmojnë Kievin të ketë më shumë sisteme perëndimore të mbrojtjes ajrore dhe të zgjerojë prodhimin vendas të dronëve. “Ne nuk kemi para shtesë dhe kjo është mënyra dhe kjo është e drejtë”, tha ai.
Sipas tij, presidenti amerikan Donald Trump kontrollon “më shumë se pesë miliardë asete” që i përkasin Rusisë në SHBA dhe mund t’u dërgojë “sinjal të mirë” partnerëve evropianë duke vepruar e para.
Rusia paralajmëroi masa të ashpra hakmarrëse nëse BE-ja vazhdon me planet për të transferuar asetet e saj të ngrira në Ukrainë.
