Kronika e një shpëtimi të pamundur në rrënojat e Gazës…
“Imagjino sikur po nuhat një lule. Mbaje frymën, tani fryji qiriut!”. Me këto fjalë, Nisreen Qawas, një eksperte e shëndetit mendor në Ramallah, u përpoq të bënte të pamundurën: të qetësonte një fëmijë pesëvjeçar që po përballej e vetme me vdekjen.
Hind Rajab ishte e bllokuar në një makinë në Qytetin e Gazës, e rrethuar nga trupat e pajetë të gjashtë anëtarëve të familjes së saj. Jashtë, një tank izraelit mbante nën shënjestër mjetin e bërë shoshë nga plumbat.
Për orë të tëra, zëri i saj i hollë udhëtoi përmes valëve telefonike deri në zyrat e Gjysmëhënës së Kuqe: “Më shpëtoni… Po vdes!”. Ky rrëfim tragjik, i cili tronditi botën dy vite më parë, është rikthyer tashmë në qendër të vëmendjes përmes filmit “Zëri i Hind Rajab” nga regjisorja Kaouther Ben Hania.
Filmi, i vlerësuar në Venecia dhe i nominuar për Oscar këtë vit, nuk është thjesht një dramatizim. Ai është një dëshmi dokumentare që përdor regjistrimet audio reale të asaj dite. Gjithçka nisi më 29 janar 2024. Gjatë përpjekjes për t’u larguar nga luftimet, makina e familjes u godit nga ushtria izraelite.
E vetmja që mbijetoi fillimisht ishte Hind dhe kushërira e saj, Layan. Por, ndërsa Layan ishte në telefon me shërbimet e emergjencës, krismat u dëgjuan përsëri. Ajo u vra gjatë kohës që ishte në linjë, duke e lënë Hindin vetëm e të tmerruar.
Brenda zyrave të Gjysmëhënës së Kuqe, stafi jetoi një dramë paralele. Filmi portretizon përplasjen mes Omarit, i cili donte të dërgonte shpëtimtarët menjëherë, dhe Mahdiut, shefit të stacionit, i cili këmbëngulte në koordinimin me ushtrinë izraelite për të mos humbur edhe ekipin e shpëtimit.
Ishte një zgjedhje mes jetës dhe protokollit. Pas marrjes së “dritës jeshile” dhe përcaktimit të rrugës së miratuar, dy ndihmësmjekë, Ahmed al-Madhoun dhe Yusuf al-Zeino, u nisën drejt saj. Por nuk mbërritën kurrë. Ambulanca u granatua rrugës, duke i vrarë të dy.
Dymbëdhjetë ditë më vonë, kur u gjet trupi i Hindit, makina ishte e shpuar nga 335 plumba. Ky numër është vula e një sistemi ndërkombëtar që dështoi. Megjithëse hetimet e pavarura vërtetuan praninë e forcave izraelite dhe koordinimin paraprak, përgjigjja zyrtare mbeti mohuese.
“Zëri i Hind Rajab”, shërben si një akuzë e hapur ndaj “rendit të bazuar në rregulla” që nuk mbrojti dot një fëmijë të vetëm. Hind është një nga 21.000 fëmijët e vrarë në Gaza, por zëri i saj u bë simboli i thyerjes së miteve perëndimore mbi njerëzimin.
Siç e thotë një nga personazhet në film: “A mendon vërtet se zëri i një vajze të vogël do të nxisë empatinë e tyre?”. Sot, ky film na fton të dëshmojmë atë që bota deshi ta harronte. Drejtësia për Hindin mbetet ende e pavendosur, por zëri i saj, i ruajtur në shirita magnetikë dhe i shfaqur në ekranet e botës, refuzon që të heshtë. /tesheshi
