Ballina Lajmet Zgjedhjet lokale në Stamboll, voton presidenti Erdoğan

Zgjedhjet lokale në Stamboll, voton presidenti Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, kanë realizuar votën e tyre në distriktin Üsküdar të Stambollit në zgjedhjet për kryebashkiakun e Stambollit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vendvotim, presidenti i Turqisë u prit nga qytetarë të shumtë.

Përveç presidentit në të njëjtën vendvotim votuan edhe bashkëshortja e tij Emine, ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak dhe bashkëshortja e tij Esra Albayrak.

“Mendoj se votuesit e Stambollit do të japin vendimin më të saktë në lidhje me Stambollin”, u shpreh ai, duke treguar se rezultatet e zgjedhjeve do t’i ndjekë nga Stambolli.

YSK ka njoftuar se numri i përgjithshëm i votuesve që deri në orën 17:00 sipas kohës lokale do të kenë mundësi të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike gjatë zgjedhjeve të sotme është 10.560.963 në gjithsej 31.342 kuti votimi në 39 rrethe të qytetit.

Në zgjedhjet e 31 marsit garuan 32 kandidatë, prej të cilëve 24 të pavarur, ndërkohë që në votimin e përsëritur do të ketë vetëm 21 kandidatë, përfshirë kandidatët nga AK Partisë, CHP-së, Partisë Saadet dhe Partisë Vatan, së bashku me 17 kandidatë të tjerë të pavarur.

Sipas YSK-së, përsëritja e zgjedhjeve në Stamboll u vendos pasi rreth 30.281 vota në 108 kuti u shpallën të pavlefshme për shkak se fletët e numërimit të votave nuk ishin të nënshkruara ose mungonin. 

Gjithashtu, në 754 qendra votimi në zgjedhjet e 31 marsit në Stamboll u zbulua të jenë angazhuar komisionerë të cilët nuk kanë qenë shërbyes civilë.

Më 31 mars, pjesëmarrja në votime ishte 83,88 për qind, gjashtë për qind më pak se në zgjedhjet e mëparshme lokale të 30 marsit të vitit 2014.

Sipas rezultateve zyrtare të YSK-së, në zgjedhjet e 31 marsit İmamoğlu mori 48,8 për qind të votave në Stamboll, ndërsa Yıldırım 48,55 për qind.

Ndërkaq, AK Parti fitoi 24 komuna të rretheve të metropolit turk, ndërsa CHP 14.

Exit mobile version