Ballina Artikuj Zgjedhjet në Kosovë dhe debati për mërgatën

Zgjedhjet në Kosovë dhe debati për mërgatën

Dr. Bashkim Aliu

Zgjedhjet parlamentare të këtij fundviti (2025) në Republikën e Kosovës, hapën tema të shumta për diskutim, që është edhe dukuri normale për kampanjat zgjedhore, pasi të gjitha palët mundohen ta përfitojnë votuesin, si përmes programit zgjedhor të partisë së tyre, po ashtu edhe përmes “demolimit” të politikave të kundërshtarëve politikë dhe theksimit të pikave të dobta të tyre. Për rrjedhojë, debatet në studiot televizive, tubimet elektorale, shkrimet nëpër mediume të ndryshme dhe anketat e angjesive të matjes së rejtingut, reflektojnë edhe në mjediset popullore, përfshi këtu edhe bisedat miqësore nëpër kafene, qoftë duke qajtur halle, duke biseduar për tema që i tangojnë njerëzit, po edhe duke luajtur shah ose ndonjë lojë tjetër, apo në margjina të ndjekjes së “sesioneve” (serialeve) të rregullta të filmave serik turk.

Ajo që bie në sy për të satën herë me radhë në zgjedhjet në Republikën e Kosovës në veçanti, është votimi i mërgatës, dhe pikërisht mërgata të cilën e quajnë edhe diasporë, është një nga pikat kyçe të programeve zgjedhore të partive politike, në kuptim të tërheqjes së një numri sa më të madh votuesish nga mërgata për llogari të subjektit të vet. Mirëpo, kur krijohet një përshtypje në opinion se vota e mërgatës mund të anojë nga një subjekt i caktuar politik, qoftë përmes matjes së rejtingut të partive politike në mesin e votuesit në mërgatë, ose përmes treguesit të votave në zgjedhjet paraprake, ose përmes prezencës në tubimet elektorale të partive politike në mërgatë, fillojnë edhe diskutimet, debatet, bile edhe tonet jo të hijshme në ravijëzimin e pozitës së mërgatës në zgjedhjet në Kosovë, qofshin ato zgjedhje parlamentare apo komunale. Pa mos dashur ta gjykoj askend për mendimin e tij për këtë çështje, dhe pa pretenduar ta luaj gjykatësin në këtë çështje dhe autoritarin që u tregon qenieve njerëzore me logjikë se si duhet të flasin, më duhet të ngre shqetësim serioz për mënyrën se si disa opinionistë e “analistë” në studio televizive, që sipas kryeministrit të shqipërisë Edi Rama, janë “klube mediatike të natës”, i qasen rolit të mërgatës në zgjedhje, bile shkojnë aq larg sa që e ngrenë si diskutim edhe të drejtën e mërgatës për të marrë pjesë në zgjedhje në këtë format. Disa i cilësojnë si megafon të palëve kundërshtare politike, të cilët frikën e partive politike nga vota e mërgatës, e shprehin në debatet televizive si vërejtje për formatin e votimit aktual të mërgatës, dhe mënyrat e mundshme të votimit të mërgatës. Jo rastësisht në debatet e këtilla edhe tajmingu i mbajtjes së zgjedhjeve, cilësohet si pazar për votën e mërgatës.

Pjesëmarrja masive e mërgatës, më tepër se votë

Pjesëmarrja e mërgatës në zgjedhje, qoftë edhe nëse me votën e tyre anojnë kah një subjekt i caktuar politik, duhet parë me sy tjerë, përtej interesit të ngushtë politik dhe arkëtimit të votave në konton partiake. Udhëtimi i mërgatës drejt vendlindjes për të votuar, duhet të jetë një moment i veçantë gëzimi dhe entuziazmi, pasi me këtë tregojnë se nuk janë shkulur me rënjë nga vendlindja, nuk e kanë harruar trollin ku u lindën dhe nuk janë të pa interesuar për atë që po ndodh në tokën e tyre që mbanë në gjirin e saj momentet më të bukura dhe më të dhimbshme të jetës së tyre. Kolonat e gjata të mërgimtarëve për në vendlindje, qoftë edhe për të votuar, duhet kuptuar si shans për forcimin e lidhjeve të tyre me vendlindjen, marrjes së opinionit të tyre për forcimin e raporteve me mërgatën, projektet e mundshme që do të ishin tërheqëse për ta dhe për pasardhësit e tyre që të jenë të kthyer çdo herë kah vendlindja dhe hapjen e horizonteve të reja për këmbime në fushën e biznesit, shkencës, artit, kulturës, sportit etj., me mërgatën dhe me vendet ku graviton mërgata shqiptare. Do të ishte shqetësuese kur mërgata nuk lëviz fare nga vendi as për zgjedhje dhe as për raste tjera, kur është në pyetje vendlindja. Atëherë çka do të bënim dhe si do të ndiheshim? Ndërkaq, derisa mërgata lëviz dhe interesohet, si për ndërtim të pragut të shtëpisë në vendlindje, për raste tjera, e po ashtu edhe për zgjedhje, kjo duhet të na gëzojë, po qoftë edhe nëse nuk ia mësynë kutisë së votimit për partinë që ne e mbështesim.

Mërgata dhe elementi i sigurisë

Në debatet televizive jo rrallë herë dëgjon oratorë të cilët shprehin rezerva ndaj votës së mërgatës me pretekst se mërgata nuk jeton në vendlindje, në këtë rast në Kosovë, nuk i din hallet dhe dertet e popullit, vuatjet dhe mjerimin, shtrejtimin dhe inflacionin, si dhe shumë aspekte tjera të jetës së përditshme të cilat e randojnë jetën e qytetarit, për atë edhe nuk mund ta jep vlerësimin e duhur për partitë politike dhe programet e tyre në vendlindje. Këta oratorë animin e mërgatës për një subjekt politik, e lidhin vetëm me aspektin e sigurisë, gjegjësisht votën e tyre e japin në bazë të vlerësimit të tyre për sukseset e një subjekti politik në politikat e sigurisë, por jo edhe për aspektet e tjera.

Randimi i elementit të sigurisë në peshoren e mërgatës është më normalja që mund të ndodh, pasi mërgata është memorja e vuajtjeve të popullit shqiptar nga planet famëkeqe të palëve të ndryshme për shfarosjen e tij. Pikërisht prezenca e theksuar e shqiptarëve në mërgatë, në veçanti kur janë në pyetje shqiptarët e Kosovës, është rezultat i pushtimit, dhunës, terrorit, shkeljes së të drejtave, privimit të vullnetit të tij që të jetojë i lirë në trollin e vet, ngulfatjen e të drejtës së tij për t’i zgjedhur vetë ata që do ta udhëheqin, dhe të qenit e tij i zoti i tokës vet. Për këtë, mërgata e mban me vete këtë plagë të madhe, dhe kur është në pyetje siguria, nuk ve me të asgjë tjetër, ngase kur nuk e ke sigurinë, nuk mund t’i gëzosh edhe begatitë e tjera.

Në fakt, elementi i sigurisë është theksuar edhe nga i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të. Në një hadith, në rend të parë e ka renditur begatinë e sigurisë, dhe ka thënë: “Kush zgjohet duke e pasur veten të sigurtë, i shëndoshë pa lënguar nga ndonjë sëmundje, e ka siguruar ushqimin për atë ditë, është sikur i është dhënë e gjithë bota”. Nëse mungon siguria, mungojnë edhe begatitë e tjera dhe ngecin edhe proceset në fusha të tjera. Pra, mërgata është në hakun e vet që ta dizajnojë sigurinë si target të drejtimit të votës në zgjedhje.

Nisur nga kjo, themi se në vend që të gjykohet mërgata pse është përcaktuar për këtë segment si prioritar në përcaktimin e subjektit politik për të cilën do ta drejtoj votën, aktorët politikë duhet të punojnë që ta bindin mërgatën se programi i tyre është më i mirë dhe meriton të votohet.

Pastaj, ata që me cilësimet e tyre në një mënyrë aludojnë se mërgata është e pa ditur për realitetin në Kosovë dhe nuk e ndjejnë nga afër mjerimin e popullit të Kosovës, tregohen shumë të pa vëmendshëm në vlerësimet e tyre, pasi votat për subjektet politike, kryekëput nuk i siguron vetëm mërgata, ngase nuk është se vota e brendshme në Kosovë është për një subjekt, dhe vota e mërgatës, e tëra, për një subjekt tjetër. Pikërisht ata për të cilët nxirren lotë në studio televizive se jetojnë në mjerim në Kosovë, votojnë në sasi të konsiderueshme për një subjekt të caktur politik. Vota e mërgatës i bashkangjitet votës së brendëshme, e nuk është ajo votë e vetmja që depozitohet në konton e një subjekti politik.

Kolonat e gjata të mërgatës për në vendlindje, le t’i gëzojnë të gjithë, përfshi këtu edhe politikanët, e le mos t’u prishet fytyra e t’u dridhen këmbët kur i shohin këto kolona, pasi janë nisur për në atdhe.

Bashkim Aliu

(Cyrih, Zvicër)

Exit mobile version