Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zgjedhjet në Singapor: Fillon votimi për përbërjen e parlamentit 97-vendësh

Zgjedhjet në Singapor: Fillon votimi për përbërjen e parlamentit 97-vendësh

Qytetarët e Singaporit kanë filluar të votojnë këtë të shtunë në zgjedhjet e përgjithshme që do të përcaktojnë përbërjen e parlamentit me 97 vende.

Partia në pushtet People’s Action Party (PAP), e cila ka qeverisur vazhdimisht që nga pavarësia në vitin 1965, synon të vazhdojë dominimin e saj politik.

Nga 6 milionë banorë, 2.76 milionë janë me të drejtë vote, dhe pjesëmarrja ka qenë tradicionalisht shumë e lartë – mesatarisht 94.2% që nga viti 2001, pasi votimi është i detyrueshëm.

Në garë janë 211 kandidatë nga 11 parti politike, por vetëm PAP ka kandidatë në të gjitha zonat zgjedhore. Partia kryesore opozitare, Workers’ Party, po garon për 26 vende.

Zgjedhjet mbulojnë 33 zona zgjedhore: 17 zona të përfaqësimit në grup dhe 15 zona me përfaqësim të vetëm. Në një zonë shumëmandateshe (GRC), PAP-i ka siguruar pesë vende pa garë, rasti i parë i tillë që nga viti 2011.

Shumica e garave janë përballje direkte mes dy partive, ndërsa vetëm në pesë zona konkurojnë më shumë se dy parti.

Fushata zgjati vetëm nëntë ditë, pas shpalljes zyrtare më 15 prill. PAP pritet të mbajë shumicën, por opozita shpreson për fitore modeste, veçanërisht në zonat urbane ku shqetësimet për koston e jetesës janë në rritje.

Rezultatet përfundimtare priten të shtunën mbrëma, megjithatë rezultatet zyrtare do të shpallen pasi të përfshihen edhe votat nga jashtë dhe ato postare.

Exit mobile version