Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zohran Mamdani, në iftar te Plavë-Gucia e Nju Jorkut

Zohran Mamdani, në iftar te Plavë-Gucia e Nju Jorkut

Kryebashkiaku muslimano-amerikan: Selmani, ai që më njohu me Ballkanin…!

I ftuari i iftarit të Bashkësisë Islame dhe Qendrës Kulturore të Plavës dhe Gucisë në Nju Jork ishte pikërisht kryebashkiaku musliman i Nju Jorkut, Zohran Mamdani.

Në një atmosferë të përzemërt dhe shpirtërore, Mamdani iu drejtua të pranishmëve me fjalë që ngjallën emocione të veçanta.

Myslimani i parë në këtë pozicion në historinë e Nju Jorkut, iu drejtua të pranishmëve me fjalë që ngjallën vëmendje dhe simpati të veçantë, duke theksuar se ai nuk erdhi vetëm si një figurë funksionale, por si një mik. Ai përmendi gjithashtu historinë e vështirë të shumë banorëve të Plavës e Gucisë që u detyruan të kërkonin një shtëpi të re jashtë atdheut të tyre, duke cituar ajetin e njohur kuranor: “Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi”.

“Selamu alejkum, miqtë e mi. Është kënaqësi të jem këtu jo vetëm si kryetari juaj i bashkisë, por edhe si vëllai juaj. Të qenit këtu me këtë komunitet është një kujtesë e udhëtimeve që shumë ndërmarrin për të ardhur në Nju Jork. E di që shumë në këtë komunitet erdhën këtu pas gjenocidit(sllav ndaj tyre). Ata erdhën nga nevoja, për të gjetur një vend të sigurt. Një vend ku një person mund të jetë ai që është. E di që shumë ende po vajtojnë vëllezërit dhe motrat e tyre, anëtarët e familjes që u humbën”, tha Mamdani.

Mamdani theksoi rëndësinë e ripërtëritjes shpirtërore, por ai gjithashtu bëri humor duke kujtuar urinë para iftarit.

“Ndërsa na rënkon stomaku, të gjithë mezi presim iftarin. Sonte po mendoj për qebapët, ajvarin dhe kujtimet që më ka sjellë ushqimi”, tha Mamdani.

Ai zbuloi gjithashtu se nga vjen lidhja e tij me Ballkanin.

“U rrita me mikun tim Selman Mujoviç, i cili më mësoi të thoja: ‘Mirë, mirë, si je?’ Këto janë kujtimet e mia nga Nju Jorku”, tha Mamdani, duke kujtuar fëmijërinë e tij në këtë qytet.

Selman Mujoviç, një mjek dhe novator me origjinë nga Mali i Zi, ka jetuar në Nju Jork për një kohë të gjatë. Babai i tij është nga Plava dhe nëna e tij është nga Gucia. Me Zohram Mamdanin, kryetarin e ri të bashkisë së Nju Jorkut, Mujoviç ishte mik fëmijërie, dhe miqësia dhe puna e tyre e përbashkët për të përmirësuar jetën e komunitetit kanë lënë një gjurmë të thellë në jetën e tyre.

Në fund të fjalimit të tij, ai falënderoi komunitetin e atyshëm për zgjimin e tyre politik, duke theksuar se sa e rëndësishme është për të ardhmen e të gjithëve ne të marrim pjesë në zgjedhje.

“Pjesëmarrja juaj në zgjedhje nuk ishte vetëm një hap i vogël, por një gjë e madhe. Kur vendosni të plotësoni fletën e votimit, ju ndryshoni kuptimin se kush ka të drejtë të votojë në këtë qytet. Kjo jemi të gjithë ne,” përfundoi Mamdani.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Mamdani shtroi iftarin e parë zyrtar të Ramazanit në ambientet e selisë së administratës së qytetit, gjë që vendosi një standard të ri në njohjen e lirisë fetare dhe multikulturalizmit të këtij metropoli të madh amerikan e botëror. /tesheshi

Exit mobile version