Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zuckerberg, dëshmi para ligjvënësve amerikanë

Zuckerberg, dëshmi para ligjvënësve amerikanë

Drejtori ekzekutiv i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg do të dëshmojë para Komitetit të Tregtisë së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, për sa i takon përdorimit dhe mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve nga ana e kompanisë së tij.

“Facebook” është përballur me kritika, pasi u bë e ditur se prej vitesh kishte pasur dijeni se “Cambridge Analytica” kishte mbledhur të dhëna nga rreth 50 milionë përdorues të tij.

Zuckerberg do të dëshmojë para komitetit të mërkurën e 11 prillit. Kryetari i Komitetit, Greg Walden, si dhe anëtari Frank Pallone Jr. mirëpritën vendimin e Zuckerbergut.

“Kjo seancë dëgjimi do të jetë një mundësi e rëndësishme për të hedhur dritë mbi çështjet e privatësisë së konsumatorëve dhe për të ndihmuar amerikanët që të kuptojnë më mirë se çfarë iu ka ndodhur të dhënave të tyre personale, online”, thanë ata.

“Cambridge Analytica” është një kompani konsulence politike, që ka punuar për fushatën elektorale të presidentit amerikan Donald Trump. Vitet e fundit, “Facebook” është një nga mënyrat kryesore, përmes të cilave politikanët lidhen me votuesit.

Exit mobile version