Zyrtarë të lartë izraelitë kanë mbështetur publikisht sot një pushtim të përhershëm të Rripit të Gazës, duke sfiduar planin e mbështetur nga SHBA-ja që përjashton praninë ushtarake ose aneksimin e territorit nga Izraeli, transmeton Anadolu.
Deklaratat u bënë gjatë një konference të mbajtur në Knessetin izraelit, me titull “Gaza – Dita pas”, raportoi televizioni i djathtë izraelit “Kanali 7”.
Ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, ka thënë se Izraeli duhet të ruajë kontrollin mbi Gazën si pjesë e asaj që ai i përshkroi si pretendime më të gjera territoriale.
“Duhet të jemi të pranishëm në Gaza dhe në gjithë Tokën e Izraelit. Ky është, para së gjithash, vendi ynë”, ka thënë ai.
Në konferencë ka folur edhe deputeti i ekstremit të djathtë, Simcha Rothman, i cili ka thënë se Izraeli duhet të mbajë autoritet të plotë mbi Gazën.
Sipas Kanalit 7, diskutimet gjatë aktivitetit janë përqendruar në propozime që përfshinin vazhdimin e kontrollit izraelit të sigurisë, çarmatimin e Hamasit dhe masa që synojnë nxitjen e zhvendosjes së detyruar të palestinezëve nga enklava.
Këto deklarata vijnë pavarësisht miratimit zyrtar nga Izraeli të një plani të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili parashikon se Izraeli nuk do ta pushtojë dhe as do ta aneksojë Gazën.
Trump e prezantoi propozimin në fund të shtatorit si pjesë e një nisme më të gjerë për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Plani përfshin armëpushim, lirimin e pengjeve izraelite, çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e Izraelit nga enklava, formimin e një administrate teknokratike dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizuese.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 71 mijë persona, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në një ofensivë të ashpër që e ka lënë Rripin e Gazës në gërmadha.
Pavarësisht armëpushimit që nisi më 10 tetor të vitit të kaluar, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet, duke vrarë 442 palestinezë dhe plagosur 1.236 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
