Zëvendësministri i Jashtëm kuban lëshoi një paralajmërim të prerë për Uashingtonin të dielën, se ushtria e vendit ishullor është “e përgatitur” për çdo agresion të mundshëm të SHBA-ve, ndërsa administrata Trump nuk e ka fshehur synimin për ndryshim të regjimit në Havana.
Duke folur për NBC në një intervistë të tensionuar, Carlos Fernández de Cossío tha se nuk e kupton pse SHBA-të do ta sulmonin ishullin, por shtoi se “ushtria jonë është gjithmonë e përgatitur. Dhe në fakt po përgatitet këto ditë për mundësinë e një agresioni ushtarak”.
“Vendi ynë historikisht ka qenë i gatshëm të mobilizohet, si një komb i tërë, përballë agresionit ushtarak,” tha Cossío . “Ne gjithmonë e shohim një gjë të tillë larg nesh, nuk besojmë se është diçka me shumë gjasa. Por do të ishim naivë nëse nuk përgatitemi”, shtoi ai.
Paralajmërimi i Cossíos erdhi disa ditë pasi Presidenti Donald Trump foli për “marrjen” e Kubës.
“Unë besoj se do të kem nderin për të marrë Kubën. Do të ishte një nder i madh,” u tha Trump gazetarëve. “Dua të them, qoftë ta çliroj, qoftë ta marr. Mendoj se mund të bëj çfarë të dua me të, nëse doni të dini të vërtetën.”
