Ballina Lajmet A do ta ndryshojë Erdogan agjendën për të ndjekur ndeshjen Kosovë-Turqi në...

A do ta ndryshojë Erdogan agjendën për të ndjekur ndeshjen Kosovë-Turqi në Prishtinë?

Presidenti I Turqisë, Recep Tayip Erdogan i ka uruar futbollistët e kombëtares së vendit të tij për kualifikim në finalen e play-offit të eliminatoreve evropiane për Kupën e Botës FIFA 2026.

Në një bisedë telefonike me Ministrin e sportit, Osman Aşkın Bak, Presidentin e Federatës Turke të Futbollit, İbrahim Ethem Hacıosmanoğlu, trajnerin e Kombëtares A, Vincenzo Montella, si dhe me futbollistët e ekipit kombëtar, ai u uroi atyre sukses në përballjen me Kosovën, që do të zhvillohet më 31 mars në Prishtinë.

Meqenëse edhe Turqia edhe Kosova i kaluan sfidat tek të enjten mbrëma, ende nuk ka një vendim final nëse Erdogan edhe personalisht do të jetë i pranishëm në këtë përballje me vendin mik e vlla siç e kishte quajtur Kosovën në disa raste.

Burime të KosovaPress brenda kabinetit të presidentit turk, bën me dije se pikërisht për ditën e martë ai ka agjendë të paracaktuar, dhe se një vendim eventual për ndryshimin e saj nuk ka mundësi të merret para të dielës.

Erdogan e kishte vizituar Kosovën në dy raste – më 2010 dhe 2013. Herën e parë, i shoqëruar nga atëbotë kryeministri Hashim Thaçi i kishte vizituar edhe disa xhami, derisa në të dytën, po ashtu me Thaçin si nikoqir, mori pjesë në inaugurimin e zgjerimit të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Gjatë kësaj vizite edhe e pati dhënë deklaratën: “Kosova është Turqi, Turqia është Kosovë”, si shprehje e miqësisë mes dy shteteve dhe popujve.

Exit mobile version