Ballina Sport Futboll A do të luaj Messi në El Classico?

A do të luaj Messi në El Classico?

Leo Messi shkoi në shtëpi i heshtur të shtunën, pas goditjes që e mori në kofshën e këmbës së djathtë, e cila ia pamundësoi të luajë me kapacitet të plotë në 22 minutat e fundit të ndeshjes ndaj Valencias. Tani, ai duket i gatshëm për t’u paraqitur në El Clasicon me Realin e Madridit në Kupën e Mbretit të mërkurën në “Camp Nou”. “Asgjë serioze”, është përgjigja e atyre që e dinë shkallën e dëmtimit të Messit, i cili e njeh shumë mirë trupin e tij dhe ka nevojë për pushim. Superylli argjentinas e shijoi të dielën duke pushuar, pasi klubi i dha ditë pushimi të gjithë stafit. Ndërsa sot rreth mesditës, Messi do të rikthehet në “Ciutat Esportiva”, ku do të ekzaminohet nga shërbimi mjekësor i klubit dhe do të analizohet nëse ekziston rreziku që ai të lëndohet më shumë. Ky është një faktor që Barça duhet ta ketë parasysh duke parë kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve në shkurt. Kupa e Mbretit është trofeu i tretë për nga rëndësia dhe të mërkurën në orën 21:00, Barça do ta zhvillojë ndeshjen e parë gjysmëfinale, por rivali është Real Madridi dhe argjentinasi është i etur të ballafaqohet me rivalin e përjetshëm, pasi nuk luajti në El Clasicon e tetorit për shkak se e kishte thyer dorën. Gjithsesi, sot do të përcaktohet nëse Messi do të luajë apo jo mbrëmjen e së mërkurës kundër rivalit historik të katalanasve, Realit të Madridit.

Exit mobile version