Ka momente kur njeriu lutet me gjithë zemër, kërkon falje, fal namazin dhe përpiqet të jetë i bindur ndaj Allahut, por ditët kalojnë dhe ai nuk sheh ndryshimin që priste. Dera mbetet e mbyllur, sprova vazhdon dhe përgjigjja duket sikur vonohet. Pikërisht në këto çaste zbulohet një nga sprovat më të fshehta të zemrës: a është Allahu qëllimi ynë, apo fryti që presim prej Tij?
Lutesh, pastaj hap sytë dhe e gjen derën ende të mbyllur.
Kërkon falje, pastaj kërkon me padurim një shenjë të shpejtë: a erdhi furnizimi, a u qetësua zemra, a ndryshoi ai person, a u largua ngushtica, a u shfaq ajo që prisja?
Fal namazin, e menjëherë pas selamit dora të shkon te telefoni, sikur përgjigjja e lutjes të vijë në njoftimet e tij.
Lexon pjesën tënde të Kuranit, e shënon se e përfundove, por zemra nuk pyet: “A u afrova më shumë me Allahun?” Ajo pyet fshehurazi: “A u afrua fryti që pres?”
Këtu nuk qëndron problemi te dëshira për lehtësim, as te shpresa në mëshirën e Allahut dhe as te dëshira që bindja ndaj Tij të sjellë mirësi edhe në këtë botë. Kjo është pjesë e natyrës njerëzore, e dobësisë dhe e nevojës sonë.
Por rreziku fillon kur fryti nuk mbetet më një mirësi e shpresuar, por bëhet qëllimi i fshehtë i adhurimit.
Mund ta quajmë këtë gjendje “adhurimi i frytit”.
Do të thotë ta adhurosh Allahun, ndërsa syri i zemrës mbetet i varur pas asaj që pret të marrë nga adhurimi.
Të kërkosh falje jo sepse mëkati të rëndon në marrëdhënien me Allahun, por sepse ke provuar se istigfari hap dyert.
Të japësh sadaka jo sepse pasuria është e Allahut, por sepse pret që ajo të të kthehet pikërisht në formën që ke imagjinuar.
Të falesh natën jo sepse dëshiron afërsinë me Allahun, por sepse pret një zgjidhje të caktuar. E nëse ajo vonohet, ftohet edhe zelli, pakësohet lutja dhe zemra fillon të pyesë me një qortim të heshtur: “Çfarë fitova nga e gjithë kjo?”
Pyetja e vërtetë nuk është:
A e dëshiron lehtësimin?
Pyetja është:
Nëse fryti vonohet, a mbetet Allahu ende qëllimi yt?
Ky është një moment vendimtar në adhurim.
Sepse njeriu mund të mendojë se është i lidhur me Allahun, ndërsa në të vërtetë është i lidhur me atë që shpreson prej Tij.
Mund të mendojë se po qëndron te dera e Allahut, ndërsa në fakt është i lidhur me pamjen e derës së hapur që ka krijuar në imagjinatën e tij. Nëse ajo nuk hapet ashtu siç e kishte menduar, zemra fillon të lëkundet. Jo sepse humbi Allahun, por sepse humbi frytin që e kishte bërë shenjë të afërsisë.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, veçse të Më adhurojnë.”
Ai nuk tha: që të sigurojnë çdo fryt që zgjedhin, as që ta matin sinqeritetin e adhurimit me shpejtësinë e rezultateve.
Adhurimi është qëllim.
Fryti është dhuratë.
Afërsia me Allahun është synim.
Ndërsa hapja e dyerve është mirësi që Allahu e jep kur dhe si të dojë.
Fryti nuk është i pavlefshëm, por nuk është objekti i adhurimit.
Rezultatet kanë rëndësinë e tyre, por ato nuk janë kibla e zemrës.
Mendo për një zemër që qëndron në namaz, por sa herë bie në sexhde, brenda saj shikon nga dera: a erdhi lajmi? A erdhi furnizimi? A ndryshoi realiteti? A u shfaq shenja që prisja?
Trupi është në namaz.
Por kibla e zemrës është ende te dera e pritjes.
Kjo është një nga sprovat më të fshehta të kohës sonë; një kohë ku gjithçka matet me rezultate. Aplikacionet numërojnë hapat, faqet e lexuara, tesbihat, detyrat e përfunduara. Pa e kuptuar, edhe adhurimi mund të marrë frymën e tregtisë:
“E bëra këtë… çfarë fitova?”
“Luta Allahun… pse ende nuk erdhi përgjigjja?”
“U përpoqa të jem i drejtë… pse jeta ime nuk ndryshoi siç prisja?”
Në familje kjo shfaqet kur njeriu lodhet duke bërë mirë, sepse nuk sheh mirënjohje.
Në punë, kur ndershmëria zgjat vetëm derisa të ketë vlerësim ose ngritje në detyrë.
Në vetmi, kur lë një adhurim që dikur e bënte rregullisht, jo sepse nuk mundet më, por sepse nuk po sheh më efektin që priste.
Në lutje, kur zemra nuk thotë më: “O Allah, ji i kënaqur me mua.” Por vetëm: “O Allah, më jep atë që dua.”
Këtu ndodh ndryshimi i padukshëm.
Fjalët mbeten të njëjta.
Duart vazhdojnë të ngrihen.
Por qendra e zemrës ka ndryshuar.
Ajo vëzhgon rezultatin më shumë sesa varfërinë e saj para Allahut.
Rreziku i kësaj gjendjeje nuk fillon me mosrespekt ndaj Allahut. Ai fillon me një pritje të gjatë, me një nevojë të sinqertë dhe me një dhimbje të kuptueshme. Por nëse robi nuk e vëren, pritja shndërrohet në kusht, shpresa në kontroll dhe adhurimi në një marrëveshje të heshtur me vetveten.
Sikur zemra të thotë:
“Do të vazhdoj për aq kohë sa shoh rezultate.”
“Do të jem e kënaqur për aq kohë sa ngjarjet ecin sipas asaj që kam imagjinuar.”
Por adhurimi nuk provohet vetëm kur fryti vjen.
Ai provohet edhe kur vonohet.
Të mbetesh rob edhe kur nuk sheh.
Të vazhdosh të lutesh edhe kur nuk e kontrollon kohën e përgjigjes.
Të kërkosh falje pa e përdorur istigfarin si presion mbi caktimin e Allahut.
Të japësh sadaka pa i diktuar Allahut mënyrën se si duhet të të shpërblejë.
Të qëndrosh i palëkundur sepse Allahu është i denjë të adhurohet, jo sepse rruga të dha menjëherë rezultatin që prisje.
Kjo nuk do të thotë se besimtari nuk dhemb, nuk dobësohet apo nuk e lut Allahun me këmbëngulje. Përkundrazi, adhurimi i plotë është ta shprehësh varfërinë tënde para Allahut dhe t’ia kërkosh Atij çdo nevojë.
Por ka një dallim të madh mes dy zemrave.
Njëra thotë:
“O Allah, nevojat e mia janë tek Ti, por zemra ime është për Ty.”
Tjetra thotë:
“O Allah, zemra ime do të mbetet me Ty për aq kohë sa nevojat e mia plotësohen ashtu siç dua unë.”
E para është zemra e një robi.
E dyta është zemra e një nevoje që është bërë qendra e adhurimit.
Prandaj mos e gjyko veten me ashpërsi.
Jo çdo lodhje është hipokrizi.
Jo çdo trishtim është kundërshtim ndaj Allahut.
Jo çdo pritje është mangësi në teuhid.
Njeriu është i dobët. Ai e do lehtësimin, ndien dhimbje kur ai vonohet dhe mund të ngushtohet për një kohë, pastaj të kthehet përsëri.
Por kujdes kur kjo bëhet mënyrë e përhershme:
Kur nuk gjallërohesh më veçse nga fryti.
Kur nuk qëndron i palëkundur veçse pasi ta shohësh rezultatin.
Kur nuk e kupton më adhurimin, përveçse nga ajo që të kthehet prej tij.
Atëherë zemra ka nevojë të rregullojë përsëri kiblen e saj.
Thuaji vetes para çdo lutjeje:
“O shpirti im! Do t’ia kërkojmë Allahut nevojat tona, por nuk do t’i adhurojmë ato. Do ta kërkojmë lehtësimin, por nuk do ta bëjmë vonesën e tij provë se Allahu është larg. Do ta shpresojmë frytin, por nuk do ta bëjmë kusht për të qëndruar te dera e Allahut.”
Pastaj shëroje zemrën me vepra.
Kërko falje një herë vetëm për të fituar faljen dhe kënaqësinë e Allahut.
Jep një sadaka që nuk e di askush.
Lutu dhe përfundoje lutjen duke thënë:
“O Allah, zgjidh për mua atë që është më e mira dhe mos më lër peng të asaj që unë e mendoj si shpëtim.”
Pas namazit mos nxito menjëherë drejt telefonit. Qëndro edhe një çast dhe thuaji zemrës:
“Nuk dola nga namazi për të vrapuar pas frytit, por për të marrë me vete frymën e adhurimit.”
Nëse lehtësimi vonohet, mos thuaj:
“Adhurimi im nuk solli dobi.”
Thuaj:
“Adhurimi nuk është një marrëveshje tregtare me Allahun.”
Heroizmi nuk është të mos kërkosh asgjë nga Allahu.
Heroizmi është t’i kërkosh gjithçka prej Tij, pa e bërë dëshirën tënde gjykatëse të besimit tënd.
Të qash para Tij, jo të negociosh me Të.
Të ndihesh i varfër para Tij, jo ta vësh Atë në provë.
Të kërkosh frytin nga dora e Tij, ndërsa zemra mbetet e lidhur me Të.
Pyete veten me sinqeritet:
Nëse nuk e shoh shpejt frytin, a mbetem ende rob i Allahut?
Nëse përgjigjja vonohet, a vazhdoj të lutem?
Nëse lehtësimi vjen në një mënyrë tjetër nga ajo që kam imagjinuar, a mbetet besimi im i palëkundur?
Nëse njerëzit nuk e shohin dhe nuk e vlerësojnë bindjen time ndaj Allahut, a më mjafton që Ai e di?
Këto pyetje nuk janë për të të rrëzuar.
Janë për të të kthyer tek Allahu.
Sepse robi nuk e mohon frytin.
Ai vetëm ia vendos vendin e duhur.
Gëzohet kur Allahu ia dhuron.
Por nuk shembet kur ai vonohet.
Falënderon kur i hapen dyert.
Por nuk e shndërron hapjen e tyre në një “zot” të vogël që sundon mbi besimin e tij.
Nevojat tona janë tek Allahu.
Por zemrat tona janë për Allahun.
O Allah, mos lejo që frytet e adhurimit të bëhen pengesë mes nesh dhe Teje. Mos lejo që pritja e lehtësimit të na vjedhë sinqeritetin e adhurimit. Nevojat tona janë tek Ti, por zemrat tona janë vetëm për Ty. Amin.
E huazuar
Hoxhë Rufat Sherifi
