Ebu Dherri transmeton se Profeti a.s thotë:“Ji i devotshëm ndaj Allahut kudo që të jesh, të keqen pasoje me të mirë që ta fshijë atë dhe me njerëzit sillu me moral të mirë.” ([1]) Ky hadith i Profetit a.s konsiderohet nga hadithet më gjithëpërfshirës që ka thënë ndonjëherë Profeti a.s.
Me hadith gjithëpërfshirës dijetarët kanë parasysh se me tre fjali profeti a.s ka përfshirë të gjithë jetën e njeriut dhe të gjitha gjendjet e tij, me Allahun e Madhëruar, me veten e vet dhe të gjitha gjendjet e tij me njerëzit. “Ji korrekt me Allahun kudo që të jesh.” Si gjithmonë profeti a.s tregohet korrekt me ligjërimin e tij, duke e mbrojtur nga çdolloj vakumi apo objeksioni.
Në përgjithësi Profeti a.s udhëzimet e tij i ka pasur eksplicite dhe shteruese dhe i kësaj kategorie është edhe ky hadith i Profetit a.s, për t’i përcjellë dëgjuesit dhe umetit deri në Ditën e Kijametit një mesazh të drejtpërdrejtë, shumë të thellë dhe njëkohësisht aq gjithëpërfshirës sa të mos ketë nevojë për të pyetur më, duke pasur parasysh rëndësinë e këshillës dhe duke përdorur rrugën e shkurtimit të distancave ligjërimore pa e zgjatur shumë fjalinë. “Ji korrekt me Zotin kudo që të jesh” Po të kishte thënë Profeti a.s “Ji korrekt” natyrshëm do të kishin pyetur: “Kur o pejgamber?”
Prandaj profeti a.s na thotë: “Kudo që të jesh” pra kurdo, kudo dhe sido që të jesh. Pejgamberi a.s në këtë pjesë të parë të hadithit, na shpreh një tjetër formë të qëllimit të ekzistencës së njeriut, që është adhurimi i Allahut të Madhëruar dhe shfrytëzimi i çdo sekondi të jetës me Allahun e Madhëruar: “Thuaj Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun e Madhëruar i Cili nuk ka shok dhe për këtë jam urdhëruar edhe unë i pari i myslimanëve.” ([2])
Profeti a.s këtë ajet kur’anor na e përkthen në një gjuhë më të thjeshtë: “Ji korrekt me Zotin dhe ki parasysh Zotin kudo që të jesh”, kudo që të jesh dhe sido që të jesh, ji me Allahun Zotin e Gjithësisë. Pra ky është objektivi i objektivave, synimi i synimeve dhe finaliteti i finaliteteve të jetës së njeriut. Që njeriu të jetë me Allahun e Madhëruar kudo, kurdo dhe sido që të jetë.
Kur punon ji me Zotin, kur ha dhe pi ji me Zotin, kur fle ji me Zotin, kur martohesh dhe ndahesh ji me Zotin, kur të komunikosh me të tjerët ji me Zotin, kur je vetëm ji me Zotin, kur je me të tjerët ji me Zotin, kur je i fortë ji me Zotin, kur je i dobët ji me Zotin, kur je i madh ji me Zotin, kur je i vogël ji me Zotin, kur ke ji me Zotin, kur s’ke ji me Zotin. Vazhdimisht rri me Allahun e Madhëruar se vetëm duke qëndruar gjithmonë me Të dhe duke pasur shqetësim vetëm kënaqësinë e Tij, në të gjitha rastet je i fituar. Profeti a.s, hipi mbi gomar dhe mbrapa kishte vënë Ibën Abasin, i thotë Ibnu Abasit këtë hadith: “O biri im, do të të mësoj disa fjalë”([3]) Është hadith i gjatë dhe një nga shtyllat konceptuale të Islamit. “O birosh, ruaje Allahun të të ruajë Allahu ty dhe ruaje Allahun ta gjesh Atë gjithmonë pranë teje!”([4]) Domethënë nëse do ta kesh gjithmonë para syve Allahun e Madhëruar edhe kur nëpërmjet këtij qëndrimi me Zotin bëhesh i madh apo kur ky qëndrim me Zotin të bën të vogël, kur ky qëndrim me Zotin për momentin të bën të fortë apo të bën të dobët, apo kur qëndrimi me Zotin për momentin të bën të pasur apo në një moment të caktuar të bën të varfër, dije se je gjithmonë i fituar. Në të gjitha rastet je i fituar, edhe kur duket se në momentin që ti qëndron me Allahun e Madhëruar diçka prej interesave të kësaj dynjaje do të cenohen ose parashikon se do të cenohen, dije se në të gjitha rastet ti je i fituar.
Profeti a.s, kur bëri hixhret, la të gjithë dynjanë e tij por la edhe një pjesë të shpirtit të tij. La të kaluarën e tij, shtëpinë e tij, pasurinë e tij. Kur flas për pejgamberin, flas për të gjithë ata që e pasuan Pejgamberin a.s. E në fund si dolën sahabët e Pejgamberit a.s? Dolën të gjithë të fituar. Madje nuk fituan vetëm ata por fitoi i gjithë umeti. Mirëpo sfida e vetme që ka njeriu në lidhje me këtë këtë pjesë të parë dhe kaq të qartë të hadithit është sfida me veten. Sepse në shume raste për të qëndruar me Allahun e Madhëruar është në diskutim edhe vetja jote, prestigji yt, dinjiteti yt, personaliteti yt, e ardhmja jote.
Pyetja e madhe është se si do të peshojë kandari për Allahun e Madhëruar dhe për hatrin e Tij, edhe në kurriz të vetes tënde, të prestigjit tënd, të ardhmes tënde, të zërit apo emrit tënd. Pejgamberit a.s i thanë: “Ti je mashtrues.” Mirëpo kush po i thonte? Po i thonte paria e Mekës, dhe paria e Mekës ishin gazetaria e gjithë gadishullit arabik madje edhe e Persisë dhe Bizantit.
Atyre u dëgjohej fjala ndër arabët në atë kohë. Persianët kur donin të merrnin vesh diçka apo romakët e lindjes, në lidhje me gadishullin arabik pyesnin ata se ata ishin paria e Mekës. I thanë Pejgamberit a.s mashtrues, i thanë magjistar, i thanë gënjeshtar, i thanë se ke ardhur për interesa të tuat dhe ke ardhur për të na përçarë. Profeti a.s u lodh shumë shpirtërisht por asnjë moment nuk i shkoi mendja të tërhiqej nga kauza e tij. Pse? “Ji me Zotin kudo që të jesh”. Në shumë raste kur lexojmë suren “Enfal” apo suren “Teube” ku Allahu i Madhëruar i bën një diagnostikim të tejskajshëm dhe shumë shterues hipokrizisë dhe cilësive të hipokritëve, kur e lexojmë këtë sure mendojmë se ndodhi një ngjarje atje në betejën e Tebukut dhe Allahu i Madhëruar i zhveshi, i diagnostikoi hipokritët me hipokrizinë dhe ngeli vetëm t’u vërë emrat dhe mendojmë se është një ngjarje që ka kaluar.
Faktikisht Allahu i Madhëruar duke e përjetësuar këtë sure, duke e përafruar nëpërmjet një ngjarjeje dhe duke e trupëzuar çështjen që ta kemi sa më të kollajtë për ta kuptuar, na thotë se kjo sure është e përjetshme deri në Ditën e Kijametit. Këtë diagnostikim që Allahu i Madhëruar i ka bërë hipokrizisë në Kur’an, përbën në vetvete një laborator të mirëfilltë dhe të vërtetë që besimtari ta shohë veten në mënyrë të vazhdueshme se kur është në hakikatllëk me Allahun e Madhëruar. Për të qëndruar me të vërtetën atëherë kur duhet të qëndrosh, për të qëndruar me Allahun aty ku duhet qëndruar dhe faktikisht në të gjitha rastet duhet të qëndrojmë me Allahun e Madhëruar.
Hipokritët, për t’u tërhequr nga beteja e madhe dhe vendimtare e Tebukut, shkonin dhe i thonin Pejgamberit a.s: “O Muhamed! Gratë e romakëve janë të bukura, janë bjonde, janë të pashme, mos na sprovo, se po të shkojmë ne atje do sprovohemi” Allahu Madhëruar u tha: “Gjithsesi ata ranë në fitne.”([5]) Fitneja më e madhe nuk ishte në betejë por fitneja më e madhe që ata kishin, ishte mënyra e justifikimit të vetes që në vetvete ishte një gënjeshtër e madhe. “Ata në të vërtetë ranë në fitne.”([6]) Sepse ky lloj qëndrimi nuk ishte për Zotin. Ne jetojmë në një kohë ku shumëkush flet për kauza të mëdha, por për fat të keq shumë pak janë ata që janë të gatshëm të sakrifikojnë për kauzat e mëdha.
Jetojmë në një kohë të mbushur plot me demagogji ku vazhdimisht gjen të flitet për kauza të mëdha por kur vjen puna te gatishmëria për të sakrifikuar, menjëherë faktorizohet justifikimi. Le ta fusim veten tonë në laboratorin e Kur’anit dhe laboratorin e jetës së Pejgamberit a.s, si na nxjerr? Pegamberi a.s na thotë: “Devotshmëria është këtu! Dhe tregoi me gisht në kraharorin e tij”([7]) dhe gjithashtu ai a.s thotë: “Pyete zemrën tënde!”([8]) Duhet të pyesësh shpirtin tënd edhe nëse e gjithë dynjaja të jep fetva për të justifikuar arsyetimin tënd. Po brenda shpirtit je rehat? Allahu i Madhëruar brenda njeriut ka vënë një zemberek që nuk e lë rehat deri sa e brendshmja të jetë në përputhje të plotë me kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, vetëm atëherë ky zemberek bie rehat.
Mirëpo nga personat që nuk shkuan në betejën e Tebukut, ishin tre sahabe që u menduan mirë dhe thanë: “Mirë Muhamedit a.s mund t’ia hedhim por Allahu i di mirë zemrat tona.” Pastaj shkuan te Profeti a.s dhe i thanë: “O Muhamed! Ne nuk kishim asnjë lloj arsyeje për të mos marrë pjesë në betejën e Tebukut por ç’është e vërteta dynjaja na mashtroi, imazhi na mashtroi. Ne nuk kishim asnjë lloj arsyeje por Allahu e di shumë mirë të vërtetën dhe ne nuk mund ta gënjejmë Zotin.” Pejgamberi a.s tha: “Këta të tre u treguan të sinqertë.” Pas pesëdhjetë ditësh Allahu zbriti shfajësimin për këta tre persona.([9])
Po ata të tjerët që u shfajësuan te pejgamberi a.s? Pejgamberi a.s nuk u mor me ta sepse llogaria e tyre është Ditën e Kijametit. Umeti musliman pas viteve gjashtëdhjetë, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë por një shtrirje gjeografike jo pak të madhe, po futet në një fazë ku duhet ndarë apo kuptuar me veten a është me Zotin apo jo? A është me fenë apo jo? Një nga standardet kryesore për të cilat duhet punuar fort për të funksionuar në bazë të tyre, për të rrënjosur brenda në shpirt dhe për të zgjuar fitren nga brenda, është standardi unik i të funksionuarit me Allahun dhe vetëm me Allahun në të gjitha rastet. Me këtë lloj standardi i edukoi Profeti a.s shokët e tij. Pra, me standardin: “Ji me Zotin kudo që të jesh!” Pejgamberi i kishte edukuar shokët e tij, me bindjen e plotë se vetëm në momentin që ti je me Zotin, vetëm ai që është me Allahun e Madhëruar, gjithmonë, në të gjitha rastet, vetëm ai është i fituar.
Ai i cili qëndron me Allahun e Madhëruar edhe në ato gjëra që i zemëron njerëzit, Allahu do jetë i kënaqur me të dhe do i bëjë edhe njerëzit të kënaqen me të, sepse Zoti i ka zemrat në dorë. Kurse ai që kënaq njerëzit kundër kënaqësisë së Allahut të Madhëruar, Allahu ka për t’u zemëruar me të edhe njerëzit ka për t’i bërë që të zemërohen me të dhe në këtë rast “humb dynjanë edhe ahiretin.” Por faktikisht e gjitha kjo që diskutuam tani, është sprova e jetës dhe nuk është sprovë momentale. Nuk është një gjë që kryhet për një ditë apo dy ditë, një javë test edhe kaq. Është sprova e jetës deri në momentin që takohemi me Allahun e Madhëruar.
Pjesa e dytë e hadithit të Pejgamberit a.s: “Të keqen pasoje me të mirë që ta fshijë atë.”([10]) Pse na e sjell Pejgamberi a.s këtë pjesë të dytë? Për të na thënë se edhe pse besimtarit i kërkohet të jetë gjithmonë me Zotin, natyrshëm do gabojë, sepse çdo bir i Ademit është gabimtar dhe për ta ruajtur në mënyrë të vazhdueshme këtë lloj statusi, pra të jetuarit me Zotin në të gjitha çastet, në të gjjitha momentet, në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet, është sfida jonë deri në Ditën e Kijametit dhe kërkesë e Allahut të Madhëruar ndaj nesh. Patjetër do ketë momente të caktuara kur ky lloj ekuilibri brenda nuk ka për të qenë në nivelin e duhur apo aty ku duhet. Prandaj për t’u kthyer në këtë lloj statusi kaq madhështor, të keqen pasoje me të mirë. Domethënë kthehu te vetja në mënyrë të vazhdueshme dhe këtë sahat të brendshëm vendose në ekuilibër që të funksionojë në sinkron me kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, edhe pse kjo e dyta në vetvete kërkon forcë.
Një nga problemet kryesore të të parit, domethënë kur njeriu fillon justifikon veten e vet në mënyrë të vazhdueshme, vjen një moment që justifikimi i vetes i kthehet në metodë jete dhe në vend që të ketë vazhdimisht shqetësim Allahun e Madhëruar, dëshiron të kalojë te kampi i atij që vazhdimisht kërkon justifikim për veten për të mos qenë në rregull me Zotin. Mirëpo kjo është një sprovë jashtëzakonisht e madhe sepse po u mësua njeriu vazhdimisht me këtë, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të kthehet mbrapsht që të krijojë një atmosferë të brendshme me Zotin dhe t’i thotë vetes së vet: “Ti mund ta justifikosh veten tënde por Allahu e di shumë mirë se çfarë ke brenda, e di shumë mirë kush je, e di shumë mirë përse e ke mbajtur këtë lloj qëndrimi apo pse e ke thënë këtë lloj fjale.”
Mund ta gënjesh filanin por a gënjehet Allahu i Madhëruar? Prandaj shembullin e atyre të treve që u kthyen me sinqeritet te Pejgamberi a.s, Allahu i Madhëruar e përjetësoi deri Ditën e Kijametit. “Dhe për ata tre që mbetën mbrapa”([11]) dhe i shkuan pejgamberit me sinqeritet, çështja më e rëndësishme nuk ishte se ata thjesht u penduan por çështja më madhore është se ata gjetën forcen për t’i thënë vetes së tyre se nuk ishin në rregull. Prandaj ji me Zotin, sepse sado të gënjesh një njeri apo një tjetër, dhe të paraqitesh përballë njerëzve se ti je në rregull, Allahu i Madhëruar e di shumë mirë statusin tënd dhe gjendjen tënde të brendshme: “Dhe me njerëzit sillu me moral të mirë.” ([12]) Treguesi kryesor apo vendimtar i devotshmërisë së vërtetë është morali i lartë i shprehur ndaj njerëzisë dhe ambientit rrethues.
Njëri prej sahabëve të pejgamberit a.s ra në dorën e romakëve në një nga betejat që bënë muslimanët. Kur ra në dorën e komandantit romak, filloi ta sprovojë fizikisht. Para se ta sprovojë fizikisht e joshi. I tha të të jap flori dhe argjend vetëm hiq dorë nga feja jote dhe bëhu i krishterë, por nuk pranoi. Të të martoj me vajzën time, përsëri nuk pranoi. Të të jap gjysmën e pasurisë dhe pushtetit tim, por përsëri dështoi ta joshte. Pastaj ndezi një zjarr të madh, vuri një kazan me vaj derisa arriti vaji momentin e vlimit dhe mori dikë prej shokëve të këtij komandanti mysliman dhe e hodhi në vaj derisa u shkri. Këtë e bëri që ta trembë por përsëri nuk u tërhoq. Pastaj e lidhën në një litar dhe filluan ta zbrisnin dalëngadalë në vaj për ta trembur dhe ky sahab i nderuar filloi duke qarë. Tha komandanti romak: “Ndaleni! Hë, i tha?!’’ Ai u përgjigj: “Nuk po qaj nga frika por më vjen keq që kam vetëm një shpirt dhe do kisha dashur të kisha njëqind shpirtra dhe t’i kisha dhënë në rrugë të Zotit dhe për hatër të Allahut të Madhëruar.’’ Aty mbreti e kuptoi se nuk kishte fajde dhe në fund i tha: “Do të të lëshoj me kusht që të më puthësh kokën.’’ U mendua dhe ia ktheu: “Me një kusht, që bashkë me mua të lëshosh edhe shokët e mi.’’ I tha mbreti: “T’i kam dhënë.” Kur shkuan në Medine dhe i treguan Omerit r.a për ngjarjen, Omeri i tha: “Ti e ke hak që nga unë i pari dhe të gjithë medinasit të ta puthin kokën.’’ Dhe të gjithë medinasit pa përjashtim u ngritën dhe ia puthën kokën këtij sahabiu.([13])
Islami është kauzë e madhe dhe është rahmet për të gjithë botën. Prandaj dhe pejgamberi a.s e edukoi këtë brez jo vetëm për të ditur të flasin për çështje të mëdha sepse për t’u prezantuar me çështje të mëdha është kollaj por për të qenë në nivelin e kauzave të mëdha, për të sakrifikuar për ta, kjo është sprova e sprovave, Allahu na ruajtë.
Imam – Hatib: Sabaudin Jashari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Hadith i pranuar. Tirmidhiu (1987); Ahmedi (21392).
([2]) – Kurani: Enam, ajeti: 162-163.
([3]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2516); Ahmedi (2669).
([4]) – Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (2516); Ahmedi (2669).
([5]) – Kurani: Teube, ajeti: 49.
([6]) – Kurani: Teube, ajeti: 49.
([7]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (6064); Muslimi (2564); Tirmidhiu (1927).
([8]) – Hadith i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Ahmedi (18001); Darimiu (2575).
([9]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4418); Muslimi (2769).
([10]) – Hadith i pranuar. Tirmidhiu (1987); Ahmedi (21392).
([11]) – Kurani: Teube, ajeti: 118.
([12]) – Hadith i pranuar. Tirmidhiu (1987); Ahmedi (21392).
([13]) – Bejhakiu, “Shuabu`l-Iman”, (1523).
