Vdekja e mendimtarit dhe intelektualit të madh të shekullit XX më ka prekur thellë. Nuk e teproj kur them se më ka krijuar një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. Jam munduar të rilexoj disa nga shkrimet e tij apo ta dëgjoj në videot e shpërndara në YouTube, por përsëri ai duket ndryshe, nuk është si më parë.
Nëse familja e tij ka humbur një baba, nje gjysh apo një bashkëshort, unë dua t’u them se janë me mijëra shqiptarë që kanë humbur mentorin e tyre, burimin e diturisë dhe të frymëzimit.
Abdi Baleta, me personalitetin dhe intelektin e tij, standardizoi ndarjen e dy botëve: atë të botës së vërtetë shqiptare dhe atë imagjinative e iluzore, të konturuar me injeksione. Ai përfaqësonte botën e shqiptarëve të vërtetë, të atyre që përfaqësuan shqiptarinë që nga çasti i ngjizjes së emrit “Shqipëri”.
Ai ishte patriot, trim, elokuent, i ditur, besimtar. Qëndroi i vetëm përballë sfidave edhe në momentet kur të gjithë e braktisën, nuk hoqi dorë nga parimet e tij, të cilat i kishte të shenjta, nuk u shantazhua, nuk iu dorëzua presioneve. Ai e bëri burrërinë standard, kulturën e debatit standard, artikulimin dhe mbrojtjen e tezave standard.
Megjithëse, me pak heshtje apo lëshime, mund të kishte arritur më shumë se sa kanë arritur të pamerituarit, ai nuk e bëri. Jetoi thjesht dhe vdiq thjesht, duke marrë me vete veprën e tij dhe një pjesë të intelektualizmit shqiptar, që nuk do t’u kthehet më shqiptarëve dhe Shqiptarisë.
Ndërsa bota tjetër ishin ata lojalë, servilë, të kapur e të shantazhuar nga asfalia greke dhe UDB-ja sllave. Ata që, sa ishte gjallë, nuk guxonin t’ia përmendnin emrin, por edhe ditën kur ai u nda nga jeta, vazhdonin të ndiqeshin nga hija e tij.
Behar Kaçeli
