Të paktën 52 persona humbën jetën në dy aksidente të veçanta trafiku në provincën Ghazni të Afganistanit, transmeton Anadolu.
Sipas mediave afgane, dy aksidente trafiku kanë ndodhur mbrëmë në rrethin Shahbaz në qendër të provincës Ghazni dhe në lagjen Nani të rrethit Andar.
Drejtoria e Shëndetësisë në Ghazni tha se të paktën 52 persona humbën jetën dhe 76 të tjerë janë lënduar në aksidente.
Të dy aksidentet ndodhën në rrugën kryesore që lidh kryeqytetin Kabul me provincën jugore të Kandaharit. Një autobus pasagjerësh u përplas me një cisternë nafte dhe një autobus tjetër pasagjerësh u përplas me një kamion.
Të plagosurit janë dërguar në spitalet më të afërta ndërsa trupat e viktimave u janë dorëzuar familjarëve të tyre.
Zëdhënësi i qeverisë së përkohshme të Afganistanit, Zabihullah Mujahid, në mesazhin e tij të ngushëllimit tha se institucionet përkatëse janë udhëzuar që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të hetojnë sa më parë shkakun e aksidentit.
Në Afganistan, numri i viktimave në aksidente trafiku mund të jetë i lartë për shkak të mungesës së zhvillimit të infrastrukturës dhe objekteve rrugore për shkak të mjedisit konfliktual që ka zgjatur për shumë vite.
